Në prag të samitit për Ballkanin Perëndimor që bahet javën e ardhshme Presidentja e Komisionit të BE-së zhvilloi një tur vizitash në rajon. Bisedime konkrete anëtarësimi ende nuk po duken në horizont.

Gjashtë vende në tri ditë: Me turin e vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor, që duan të gjithë të anëtarësohen në BE, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen përgatiti samitin e BE-së me vendet e Ballkanit.
Më 6.10.2021 nën presidencën sllovene samiti zhvillohet në Brdo të Ljubjanës. Mesazhi i BE-së në këtë tur vizitash në të gjitha stacionet ishte i njëjti: merruni vesh me njeri-tjetrin, përpiquni edhe më tej, kini durim. Ursula von der Leyen i siguroi të gjithë presidentët dhe kryeministrat, që takoi se: “Ne ju duam juve në BE. Unë angazhohem personalisht për këtë”, shkruan DW.

Ju lutem durim

Fjalët inkurajuese janë të nevojshme, sepse procesi i anëtarësimit po shtyhet prej vitesh, ndonëse p.sh. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndërkohë kanë marrë premtimin që në vitin 2019. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhgënjimin e shprehu përmbledhtas në mënyrë figurative.

“Ne ndihemi si në një dasmë, ku nusja është zbukuruar, por dasmorët nuk janë ftuar”, tha ai.

Shqipëria ndihet si “peng” i grindjes mes vendit anëtar të BE-së Bullgarisë dhe vendit kandidat Maqedonisë së Veriut. Bullgaria bllokon bisedimet e anëtarësimit, sepse Maqedonia e Veriut rrezikon identitetin bullgar dhe gjuhën. Për këtë grindje shumica e vendeve të BE-së nuk kanë mirëkuptim. Qeveria gjermane në qershor zyrtarisht i kërkoi Bullgarisë, që të tërheqë veton kundër hapjes së negociatave me Shkupin.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, sërish vuri në dukje qëndrimin e formuluar qartazi nga Komisioni për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë: “Ju i keni përmbushur kushtet dhe e keni bërë punën tuaj”, tha ajo si në Shkup edhe në Tiranë.

Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, theksoi atë që e përsërisin prej vitesh shumë politikanë të BE-së, se kemi të bëjmë me besueshmërinë e Unionit Europian. BE më në fund duhet t’u përmbahet premtimeve.

Ursula von der Leyen i kaloi me buzëqeshje kritikat gjatë një konference të përbashkët shtypi në një qendër rinore të rinovuar me financimin e BE-së. Një recetë konkrete, se si mund të ndryshojë qëndrim Bullgaria, ajo nuk mundi të ofrojë. Në të gjitha stacionet e turit të saj ajo preferoi të theksojë ndihmat financiare, që BE-ja ka vënë në dispozicion për Ballkanin për ripërtëritjen pas pandemisë së koronavirusit. Krahas ndihmave afatshkurtra për fushatat e vaksinimit në vitet e ardhshme do të lëvrohen gati 30 miliardë euro për investime strategjike në rajon.

Zgjidhet grindja për targat në Kosovë

Vizitat e Von der Leyen në Serbi dhe Kosovë u zhvilluan nën hijen e shkallëzimit të konfliktit ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës për çështjen e targave. Por gjatë kohës që presidentja e Komisionit ndodhej në Prishtinë dhe në Nish, delegacionet e të dyja palëve zhvillonin bisedime në Bruksel, ku arritën të gjejnë një zgjidhje.