Këtë të premte është afati i fundit për dorëzimin e listave për kandidatë për deputetë në KQZ.

Fushata eshumicës së partive politike tashmë është orientuar në premtimet për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, shkruan lajmi.net.

Në kuadër të saj, kandidatët për kryeministër nga subjektet politike po japin premtimet se në listat për deputetë nuk do të ketë persona me aktakuza.

Vjosa Osmani që para pak kohësh mori nominimin për kandidate për kryeministre nga LDK-ja, hiç më larg se para dy ditësh tha se lista e LDK-së do të filtrohet, në atë mënyrë që mos të ketë persona me aktakuza.

Një deklaratë e tillë e Osmanit, nënkupton përjashtimin nga lista të Naser Osmanit, që ishte deputet në legjislaturën e fundit dhe i cili po përballet me drejtësinë.

Lajmi.net e ka pyetur Naser Osmanin nëse është sqaruar me kandidaten për kryeministre, lidhur me kandidimin ose jo të tij, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Vjosa Osmani, që nga zyrtarë të partive tjera është konsideruar si “marionetë” e kryetarit të partisë, Isa Mustafës, po vlerësohet se nuk ka fuqi politike brenda subjektit t’i përjashtojë nga lista personat me aktakuzë.

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, për lajmi.net thotë, se LDK-ja ka gjithsej nëntë zyrtarë me aktakuza dhe se, sipas tij, përfshirja e tyre ose jo në listat për deputetë nuk varet nga Vjosa Osmani.

“LDK ka nëntë zyrtarë me aktakuzë, sipas të gjitha gjasave është thënë se nuk do të ketë persona me aktakuzë. Sidoqoftë, kjo nuk është çështje e Vjosës për është çështje e degëve të këtij subjekti”, thotë Burjani.

Analisti politik thotë se do të ishte mirë që në këtë subjekt dhe në të tjerat të mos jetë asnjë kandidat me aktakuzë për deputet, ani pse ai thotë se është shumë e vështirë të arrihet.

“…tash mbetet në çështjen se a do ta respektojnë degët vendimin e Kryesisë. Do të ishte mirë që të mos ketë asnjë kandidat nën aktakuzë dhe kjo pritet të shihet. Është vështirë t’u besohet partive politike në Kosovë duke pasur parasysh se politika është mjet për ekzistencë jetësore. Shumica, ose 90 % e anëtarësisë së partive janë njerëz të paaftë që mbijetojnë pa politikë”, thekson Burjani.

Mosgatishmëria e LDK-së për t’i larguar nga lista për deputetë personat me aktakuza shihet edhe në deklarimet e zyrtarëve të lartë të kësaj partie. Kjo parti, tashmë është pozicionuar kundër paktit të Veselit kundër korrupsionit.

Madje, ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, luftën e korrupsionit e quajti shaka me popullin e Kosovës.

“Prandaj këto shakatë me këtë popull, me opinionin publik, me qarkun kulturor e akademik, e në veçanti me Lidhjen Demokratike të Kosovës që shquhet për duar të pastra, për institucionalizim, për sundim të rendit dhe ligjit, ne i themi një jo të madhe shakave të dhimbshme edhe cirkut që po e vazhdon Kadri Veseli dhe soji i tij që nga viti 2007 në Kosovë”, ka thënë Rugova për lajmi.net.

Sidoqoftë, LDK-ja më 23 gusht, zgjodhi Kryesinë e re të partisë, e cila la në hije luftën dhe premtimet kundër korrupsionit.

Në kryesinë e re, gjenden dy persona të cilët kanë aktakuzë për raste korrupsioni e nepotizmi.

Naser Osmani po akuzohet nga prokuroria se kishte tërhequr 800 mijë euro nga fondi i 3%-shit, para këto që ishin mbledhur për luftën e armatimin e UÇK-së.

Rasti në fjalë është ende në gjykim.

Personi tjetër me aktakuzë për korrupsion në LDK është Haki Rugova.

Rugova akuzohet lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin, sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova.

Ai duke vepruar si kryetar i komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyra për informim e LDK-së, lidhur në çështjen se a janë përcaktuar kriteret për kandidim për deputetë, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.