Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i është bashkuar nismës së Dua Lipës dhe Rita Orës, për të vënë Kosovën në hartën e kompanisë Apple.

Osmani shkruan në Twitter: “I dashur Apple. Më datë 21 prill ju keni bërë një deklaratë zyrtare duke informuar se shumë nga shërbimet tuaja më të dashura tanimë do të ishin në dispozicion në 20 vende të tjera, ndër të cilat keni përfshirë dhe Kosovën.

Në mars, ju keni bërë Dua Lipan, superstaren nga Kosova, kopertinë në Pop Listën në ‘Apple Music’.

Shumë prej aplikacioneve tuaja në App Store përdoren masivisht në Kosovë pasi ju i keni bërë të disponueshme këtu.

Apple, Kosova është qartë pjesë e botës suaj. Le të sigurohemi që ta shohim shpejt atë edhe në hartën tuaj”.

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e Apple-it janë shënuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë.