Në kuadër të vizitës dy ditore në Bruksel, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr.Vjosa Osmani, është takuar me komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.Sipas një komunikate për media të Presidencës, Osmani shprehu mirënjohjen e saj ndaj BE-së për përkrahjen e vazhdueshme të BE-së për Republikën e Kosovës, e sidomos përgjatë periudhës së përballjes me pandeminë Covid-19.Në njoftim thuhet se u diskutua lidhur me mbështetjen e mëtejme të BE-së në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës si dhe për Planin e investimeve ekonomike.
Osmani tha se procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.“Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se mungesa e ambicies ose angazhimit nga secila palë në procesin e integrimit evropian do të thotë që mbështetja dhe besimi i qytetarëve në rrugën e integrimit në BE mund të dëmtohet”, citohet të ketë thënë Osmani.Ajo ka ritheksuar faktin se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret formale për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Në këtë kontekst, u.d. Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi, teksa kërkoi edhe ndihmën e Komisionit Evropian për t`i bindur shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.Tutje thuhet se, sa i përket dialogut me Serbinë, u.d. Presidentja Osmani potencoi nevojën e unifikimit të gjithë spektrit politik në vend rreth këtij procesi në mënyrë që ai të përfundojë suksesshëm. Ajo kërkoi që BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë në mënyrë që ky shtet t`i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.