VMRO-DPMNE e demanton deklaratën e kryeministrit Zaev gjatë intervistës së mbrëmshme me redaktorë të mediumeve se në buxhet kanë mbetur gjashtë milionë euro dhe se borxhi publik është mbi 50 për qind e BPV-së, transmeton FOL.
“Zaev gënjeu se në buxhet kanë mbetur vetëm 6 milionë euro. Ministri i i tij i Financave u lavdërua se më 5 qershor janë paguar rreth 77 milionë euro nga buxheti në emër të subvencioneve, bursave dhe pensioneve. E vërteta është se Qeveria e re e LSD-së në buxhet mori 130 milionë euro, përveç nëse Zaev nuk dëshiroi pa vetëdije të pranojë se 124 milionë eurot janë zhdukur në mënyrë misterioze”, shkruan në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

E pasaktë, sipas VMRO-DPMNE-së, është edhe e dhëna e Zaevit se borxhi publik ka paraqitur mbi 50 për qind të BPV-së, ndërkaq se borxhi i fshehur ka paraqitur mbi një miliardë euro.

“Gjendja faktike është se borxhi publik më 30 prill të këtij viti ka paraqitur 45,9 për qind. Me këto numra paushall dhe gënjeshtra, Zaev edhe praktikisht e kërcënon rejtingun kreditor të Republikës së Maqedonisë dhe rrezikon që kreditorët në të ardhmen të kërkojnë norma më të larta interesi”, thekson VMRO-DPMNE, duke vlerësuar se Zaev manipulon dhe dezinformon në vend që t’i përmbushë premtimet që i ka dhënë para zgjedhjeve.

Partia opozitare demanton edhe se me Zaevin kanë biseduar për temën – amnisti.

“Zaev gënjeu se kush do nga VMRO-DPMNE në bisedimet me LSD-në ka kërkuar çfarëdo lloj amnistie”, kumtoi VMRO-DPMNE dhe thekson se Zaev “i relativizon të gjitha çështjet dhe ik nga përgjigjet konkrete dhe përgjegjësia”.