Partia opozitare VMRO-DPMNE përmes një kumtese me shkrim thonë se Qeveria e LSDM-së vetëm dy ditë para fillimit tashmë të vonuar të vitit shkollor bëri një kolaps të plotë të sistemit arsimor.

Nga kjo parti thonë se testimi i sotëm i Platformës kombëtare të Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e mësimit onlajn nuk zgjati as 30 minuta. Ky kolaps shkakton shumë konfuzion midis kuadrit mësimor, por edhe midis vetë prindërve dhe nxënësve.

“Sapo nxënësit dhe mësuesit morën udhëzimet e tyre për të punuar në platformë, e njëjta u tregua plotësisht jofunksionale. Në fillim, nxënësit dhe mësuesit nuk mund të hynin në platformë dhe më pas nuk kishin asnjë mundësi të kyçeshin. Gjithashtu, si një nga arsyet kryesore për mosfunksionimin e platformës është mbingarkesa e madhe e përdoruesve. Shtrohet pyetja, si për dy ditë do të sigurohet qasje e pandërprerë dhe disponueshmëri e plotë e platformës e cila, siç është paralajmëruar, ka për qëllim të bashkojë 270 mijë nxënës? Megjithëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës më parë i informoi prindërit për specifikimet e kompjuterëve me të cilët nxënësit do të duhej të ndiqnin mësimet, gjë që gjithashtu i ngarkoi prindërit për gati 20 mijë denarë shtesë nga buxheti i familjes për të siguruar një kompjuter adekuat, megjithatë platforma nacionale u dëshmua si jofunksionale”, potencojnë nga VMRO-DPMNE.

Ng kjo parti mes tjerash thonë se megjithë problemet me përdorimin e platformës kombëtare, akoma mbi 40 mijë fëmijë në vend nuk do të mund të ndjekin mësimet onlajn sepse nuk kanë një kompjuter me specifikimet e nevojshme.

“Qeveria kishte 8 muaj për të përgatitur një zgjidhje solide dhe sot, vetëm disa ditë para fillimit të vitit shkollor, kemi një dështim të madh. Në vend të përgjigjeve dhe zgjidhjeve institucionale, ne patëm një fushatë politike”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.