VMRO-DPMNE-ja kërkon nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ta respektojë vullnetin e qytetarëve dhe t’i publikojë rezultatet dhe në asnjë mënyrë të mos paramendojë ta falsifikojë vullnetin e qytetarëve.

“Kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike të cilat Evropa i pranoi, ndërsa ka ardhur  koha që të njihen rezultatet, duhet t’i konstatoni rezultatet dhe t’i tregoni. Konstatoni mandatet dhe mos e keqpërdorni durimin e qytetarëve. KSHZ-ja t’i shpallë mandatet pas tërë natës dhe tërë ditës në pritje”, porositi Vllatko Gjorçev në konferencën e sotme partiake të VMRO-DPMNE-së.

Ai theksoi se sipas rezultateve zyrtare në ueb faqen e KSHZ-së, padyshim se VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” kanë dallim prej 17.000 votave, ndërsa me gjithë diasporën 20.000 vota në krahasim me LSDM-në dhe Koalicionin dhe kanë fituar në gjashtë nga shtatë njësitë zgjedhore.

Në shtete shumë më të mëdha me numër më të madh votuesish dhe rezultate shumë të afërta zakonisht është për disa orë  pas zgjedhjeve të shpallen rezultatet dhe ai që ka humbur t’i urojë fituesit.

“Pas tërë natës dhe pothuajse një dite të plotë askush nuk është paraqitur të na urojë, e as KSHZ-ja nuk i kumton rezultatet”, tha Gjorçev.

Theksoi se kryetari i KSHZ-së Aleksandar Çiçakovski sot në orën 12.00 i ka braktisur hapësirat e KSHZ-së me sqarim se ishte i lodhur dhe se do të shkojë të flejë deri në orën 19:00.

“KSHZ-ja ka për obligim njëherë në katër vjet të zbatojë zgjedhje dhe nuk është e zakonshme që në natën më të rëndësishme, ditën më të rëndësishme, kryetari të largohet me sqarim se duhet të flejë. Kërkojmë që Çiçakovski të thotë nëse ka fjetur ose ishte diku për konsultime”, potencoi Gjorçev.

Theksoi se është koha që KSHZ-ja t’i shpallë rezultatet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe publikisht t’i kumtojë mendatet.

“Është e qartë se VMRO-DPMNE-ja ka fituar dhe ka fitore të kristaltë dhe është koha që KSHZ-ja t’i shpallë rezultatet”, tha Gjorçev dhe theksoi se sipas sajtit të KSHZ-së, VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” kanë fituar 453.000, ndërsa LSDM-ja dhe Koalicioni 436.000 vota.