Në VMRO-DPMNE nuk ka arritur ftesë për takim mes Hristijan Mickoskit dhe kreut të LSDM-së Dimitar Kovaçevski. Në ftesë eventuale, e njëjta do të pranohet vetëm nëse në takim do të diskutohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, njoftoi sot Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
“Një ftesë e tillë ende nuk ka arritur në VMRO-DPMNE, por nëse arrin, do të pranohet me kusht që në takimin Kovaçevski-Mickoski të diskutohen zgjedhjet e parakohshme, si e vetmja zgjidhje logjike për krizën e thellë aktuale në të cilën ndodhet vendi”, deklaroi Milloshovski.

Nga LSDM-ja thonë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, përcjell TV21. Sipas tyre zgjedhjet nënkuptojnë shpenzime shtesë në kohën kur vendi po përballet me krizë në ekonomi dhe energjetikë.

“Zgjedhje nuk do të ketë, duhet të angazhohemi për tejkalimin e sfidave ekonomike dhe mbështetje financiare të qytetarëve. Ne duhet ta diskutojmë këtë dhe të votojmë së bashku në Kuvend për këto tema me prioritet. Zgjedhjet nënkuptojnë shpenzime të reja, pasiguri të reja dhe pengesa të reja për të gjithë ekonominë”, thuhet në reagim.