Ashtu siç lëviz kurba e të infektuarve, po ashtu lëvizin edhe qëndrimet e partive politike për datën e zgjedhjeve. Sipas VMRO-DPMNE-së, rritja e numrit të të infektuarve në dy ditët e fundit është argumenti më i fortë se zgjedhje të shpejta nuk duhet të ketë.

“Të flitet për zgjedhje në kushte të këtilla, jo që nuk është normale, por është morbide. VMRO-DPMNE kundërshton që të jetë pjesë e skenarit të Zaevit për vrasje të organizuar të qytetarëve. Ky është argumenti më i fuqishëm që zgjedhje të shpejta e lëvizin shtetin drejt një thertoreje zgjedhore dhe drejt një procesi zgjedhor të besueshëm dhe demokratik.”,- tha Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Çulev pengon luftën kundër Covid-19

Mirëpo LSDM, e cila insiston në zgjedhje të shpejta për të legjitimuar mandatin politik të institucioneve, ka akuzuar ministrin e punëve të brendshme, Naqe Çulev, se ka vënë MPB në favor të VMRO-DPMNE-së. Duke mos ndëshkuar personat që nuk respektojnë kufizimet favorizon përhapjen e virusit dhe qëndrimin e Mickovskit kundër zgjedhjeve të shpejta.

“Kjo është vetëm edhe një dëshmi për sjelljen e pandërgjegjshme dhe të papjekur të Çulevit dhe VMRO-DPMNE-së të cilët në këtë mënyrë veprojnë kundër shëndetit publik. Çulev me urdhëresë të Mickovskit jo vetëm që nuk ndihmon, por pengon luftën kundër pasojave të virusit Korona. Çulevi dhe VMRO-DPMNE vetëm duan të keqpërdorin policinë si në kohën e regjimit, në vend që të jetë në funksion të zbatimit të ligjeve. Prandaj duhen zgjedhje, Qeveri e re dhe Kuvend me legjitimitet të plotë të qytetarëve.”,- theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.

BDI: Jo vendime politike, të mbrojmë qytetarët

Ndërkaq, Shtabi Qendror Zgjedhor i BDI-së njoftoi se qëndrimet e veta do t’i ndërtojë në përputhje me rrethanat e reja dhe parashikimet për javët në vijim.

“Shtabi Qendror Zgjedhor i BDI-së do të zhvillojë konsultime intensive me institucionet dhe ekspertët dhe vlerësimet dhe vendimet e veta do t’i vendos në përputhje me sugjerimet e ekspertëve, të cilat nuk guxojnë të ndikohen politikisht, por të sillen me përgjegjësi për shëndetin publik.”- thuhet në kumtesën e BDI-së.