VMRO-DPMNE vazhdon të hutojë anëtarësinë dhe mbështetësit e tyre kur është në pyetje procesi i Regjistrimit në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski dje përmes një postimi në rrjetin social Facebook i bëri thirrje diasporës maqedonase të regjistrohet në mënyrë masovike – edhe pse vazhdon të mbajë qëndrimin se ky operacion statistikor është jolegjitim dhe se për të njëjtën – kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për anulimin e regjistrimit. “VMRO-DPMNE për tetë ditë ka mbledhur mbi 100 mijë nënshkrime nga qytetarë që janë të pakënaqur me mënyrën se si po udhëhiqet regjistrimi. VMRO-DPMNE do të vazhdojë të udhëheqë me luftën kundër qeverisë mafioze nga brenda në institucione për anulimin e regjistrimit”, shkruan Mickoski. Por deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshoski, e arsyeton thirrjen e Mickoskit ndaj diasporës maqedonase për t’u regjistruar. Ai thotë se VMRO nuk ka problem me Regjistrimin elektronik, sepse ky model i regjistrimit është modern dhe për këtë shkak, shprehet ai, kryetari i partisë ka bërë thirrje diasporës të regjistrohen edhe për kundër faktit që janë mbledhur 100 mijë nënshkrime për anulimin e ligjit aktual për regjistrim.

“Ne gjatë kësaj jave do ta dorëzojmë propozim-ligjin për anulimin e ligjit aktual për regjistrim. Ne do të potencojmë në arsyetimin se përveçse si deputetë, propozojmë edhe në emër të 100 mijë qytetarëve të nënshkruar të cilët përkushtohen për një regjistrim të drejtë. Thirrja e Mickoskit ndaj diasporës ishte për një arsye. Arsyeja është se ne edhe më herët edhe tani nuk kemi problem me Regjistrimin elektronik. Domethënë, nëse ju jeni në diasporë dhe nëse të mundësohet të regjistrohesh, juve nuk ju vihet në rrezik shëndeti. Ju regjistroheni, por regjistruesit nuk ju vijnë në shtëpi dhe t’ju vendosin në rrezik pasi të kenë kaluar 10 shtëpi tjera. Në këtë kontekst, regjistrimi elektronik për ne është mënyra moderne dhe bashkëkohore e regjistrimit dhe ne përkushtohemi edhe në Maqedoni për popullatën rezident, regjistrimi të jetë në bazë të regjistrimit elektronik dhe kryqëzimit të bazave elektronike të të dhënave”, ka deklaruar për KOHA, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Ndërsa për analistin politik, Dame Çkatroski, kjo qasje e VMRO-së krijon huti te mbështetësit e tyre dhe janë në kundërshtim me veprimet e ndërmarra. Ai thotë se kjo parti është nën presion të madh dhe prandaj brenda tyre në vazhdimësi fiton kaosi mental. “VMRO-DPMNE gjatë gjithë kohës është nën presion nga brenda. Te ata, në vazhdimësi fiton kaosi mental. Nuk janë vetëm nën presion të LSDM-së, por problem është se atë parti nuk dihet se kush po e udhëheqë. Tani me nënshkrimet për anulimin e regjistrimit nga njëra anë dhe thirrja ndaj diasporës të regjistrohen nga ana tjetër, situata as që është e qëndrueshme, as e përmbajtur – por as e mundur. Janë në kundërshtim me veprimet e ndërmarra. Pason shpërbërje të kësaj partie nëse i humbin zgjedhjet lokale, dhe janë në rrugën e duhur të ndodh kjo”, ka deklaruar për KOHA, Çkatroski.

VMRO-DPMNE në ndërkohë ka akuzuar partitë në pushtet për kurdisjen e rezultatit sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare, e cila bazuar në regjistrimin e vitit 2002, përbën 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës dy milionëshe. Pikërisht për shkak të politizimit të procesit, Regjistrim të popullsisë në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur tani 19 vjet. Një përpjekje kishte në vitin 2012, por regjistrimi ishte ndërprerë disa ditë pasi kishte nisur, pikërisht për shkak të dallimeve mes partive dhe anëtarëve të regjistruesve në terren lidhur me regjistrimin e diasporës, që edhe luan rol të rëndësishëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe, partitë shqiptarëve nuk kanë vërejtje në metodologjinë për zbatimin e regjistrimit. Ata konsiderojnë se të dhënat e fituara nga regjistrimi do të jenë bazë për krijimin e politikave ekonomike dhe zhvillim të barabartë rajonal. (koha.mk)