“OSMANI DHE KOVAÇEVSKI TË PËRGJIGJEN PËR PUNËSIMIN E SAJ”

Ish prezantuesja Besmira Ejupi, për të cilën flitej më herët se u propozua për konsulle të përgjithshme në Nju Jork, është punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si bashkëpunëtore në sektorin për çështje juridike. Kështu të paktën pretendojnë nga VMRO – DPMNE. Zëdhënësi i partisë, Naum Stoilkovski deklaroi sot se, veç më ka filluar procedura për dhënien e kartelës së evidentimit për hyrje dhe dalje të Ejupit, si dhe hyrja në sistemin kompjuterik, ndërsa thotë se po ashtu, ka filluar procedura për dhënien e certifikatës së sigurisë, për informata të klasifikuara, raporton Klan M.

“Sipas informatave, përderisa zgjatë hetimi për pagesat e mbi 12.000 eurove për një vit nga institucionet të udhëhequra nga BDI ndaj Besmira Ejupit, avokati shtetëror, Fehmi Stafa pretendonte se, nuk mund të funksionojë pa të, derisa ende nuk ka rënë pluhuri për propozimin e tërhequr të Qeverisë që ajo të emërohet konsull gjeneral në Nju Jork, Bujar Osmani e merr dhe e strehon Besmira Ejupin në MPJ” – deklaroi Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Opozita maqedonase ka kërkuar përgjigje nga Osmani dhe Kovaçevski për punësimin e Ejupit në MPJ.

“Osmani dhe Kovaçevski duhet të përgjigjen se, si është e mundur që një person, për të cilin zhvillohet hetim për skandal të madh financiare, keqpërdorime të mundshme dhe transferim i një shumë të lartë të parave të buxhetit, tani të punësohet në MPJ, t’i jepet certifikatë e sigurisë dhe të jetë pjesë e rrjetit diplomatik” – tha Stoilkovski.

Muaj më parë, gazeta Fokus publikoi se, Ejupit i janë realizuar 39 transaksione nga ana e Avokati të Shtetit, Komunës së Sarajit, Komunës Çair, Komunës Petrovec dhe Komunës Bërvenicë. Përkatësisht, për më pak se një vit ka fituar mjete buxhetore prej gati 12 mijë euro. Po ashtu, në media përflitej se Ejupi ishte propozuar për Konsull të Përgjithshëm në Nju Jork. Mirëpo atëherë, Ministria e Punëve të Jashte e përgënjeshtroi një gjë të tillë. /KlanMacedonia/