Për VMRO-DPMNE-në programi i prezantuar të cilin do të duhet ta ketë qeveria e ardhshme e kryesuar nga LSDM-ja, paraqet një “pamflet politik”, njëherësh duke përsëritur propozimin që ta hedhin poshtë platformën shqiptare dhe të pranojnë mbështetjen nga ana e VMRO-DPMNE-së për një qeveri të pakicës ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Zaev një orë tentoi përmes leximit të një pamfleti politik që ta bind opinionin, ndërsa këtë mund ta bënte vetëm me një minutë, që të heq dorë nga platforma e Tiranës”, tha Antonio Milloshoski, njëherësh edhe deputet.

Ai kërkoi nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, siç u shpreh, që të mos e nënvlerësojë inteligjencën e qytetarëve të Maqedonisë dhe “nëse dëshiron që t’i bind se bën politikë e cila është e dobishme për Maqedoninë, atë ta dëshmojë me refuzimin e platformës nga Tirana”, e cila siç e quajti, paraqet platformë të një shteti tjetër dhe nuk ka vend në Maqedoninë unitare.

Milloshoski theksoi se daljen nga kriza e sheh nëse LSDM-ja e pranon mbështetjen e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së që të krijohet qeveri e pakicës, por vetëm nëse nuk e pranojnë, siç e quajtën platformën e një shteti tjetër.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sot në një konferencë për shtyp në selinë e partisë prezantoi programin që e ka cilësuar si “të qeverisë së re të Maqedonisë”, program i cili sipas tij, është thelbi për nevojat e qytetarëve dhe do të kontribuojë që Maqedonia të ecë përpara.

Ndryshe, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, refuzoi të mandatojë liderin e LSDM-së për të formuar qeverinë e re, duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.