VMRO-DPMNE sonte në Gjykatën Administrative ka paraqitur padi kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ankesat e Lëvizjes BESA dhe anulimit të rezultateve të votimit për listat e deputetëve, në vendvotimin nr. 0396/1 të zonës së gjashtë zgjedhore, në komunën e Gostivarit, njoftuan sonte nga VMRO-DPMNE.

“Vendimi  i kundërligjshëm i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve në dëm të Koalicionit Për Maqedoni më të mirë dhe konteston vullnetin e shumicës të popullit maqedonas”, thuhet në deklaratë.

Si pjesë e padisë, shërbimi ligjor i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Për Maqedoni më të mirë ka paraqitur argumente dhe dëshmi të shumta me të cilat konfirmon paligjshmërinë dhe mungesën bazë të vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

VMRO-DPMNE apelon që mos të kryhet presion ndaj Gjykatës Administrative dhe gjykatësve që të vendosin në bazë të ligjit. Çdo trajtim tjetër do të ishte falsifikim dhe vjedhje e vullnetit të qytetarëve me inxhinieri pas zgjedhore, thonë nga VMRO-DPMNE.