Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE po tenton me çdo kusht që të shkaktojë tensione dhe përçarje tek partitë opozitare, si LSDM, por edhe në partitë opozitare shqiptare si Lëvizja për Reforma-PDSH dhe Lëvizja Besa. Këto informacione burojnë nga burime partiake për INA por edhe portali Press24.

Nga të njëjtat burime mësojmë se nga VMRO po derdhin para dhe bëjnë presione përmes institucioneve shtetërore që të ngjallin pakënaqësi rreth pêrpilimit të listave në partitë opozitare. Siç thuhet, cak i VMRO-së tani janë bërë edhe LRPDSH dhe Besa, pas fuqisë që po marrin këto parti në zonat shqiptare, sidomos në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës.

Portali Press 24 njofton se sonte ka pasur tensione brenda strukturave të LSDM-së rreth listave dhe moskandidimit të disa figurave kyçe të kësaj partie.

Mësohet se edhe brenda Lëvizjes për Reforma dhe Alenacës për Shqiptarët ka zhvillime për të prishur procesin e zgjedhjes së kandidatëve.

Burime partiake gjithashtu theksojnë se paratë dhe influenca shtetërore e VMRO-së kanë përfshirë edhe një pjesë të anëtarësisë së Besës. Këtu po tentohet të ngjallen pakënaqësi edhe rreth pozitës së RDK-së së Zendelit në koalicionin me Besën, gjoja se RDK-ja po tregohet tepër inferiore ndaj Besës, duke pranuar vetëm një kandidat në pozitat e para edhe atë Fadil Zendeli në pozitën e dytë. Fakt për këtë është edhe dorëheqja e anëtarit të kryesisë së RDK-së së Zendelit, Ramadan Idrizi, i cili dorëheqjen e ka postuar në facebook.