Pushteti i ri ndoshta krejtësisht do ta marrë kontrollin e institucioneve, pas zgjedhjeve lokale. Edhe pse emërimi i anëtarëve të rinj të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës do të fillojë nga seanca e radhës e qeverisë, ajo nuk do mund të përfundojë shpejt për shkak të kritereve të rrepta ligjore. Sipas ligjeve, anëtarët e këshillave drejtues i zgjedh drejtpërdrejt qeveria, por kandidati duhet të ketë tri vjet përvojë pune, test integriteti dhe certifikatë të pranuar ndërkombëtarisht të njohjes së gjuhës angleze. Pikërisht certifikata e gjuhës angleze është shkaku i marrjes së ngadaltë të kontrollit në institucione për shkak se procesi merr kohë të gjatë, dhe kandidatët duhet nga xhepi ta paguajnë dokumentin, thotë Mançevski.

Koncepti ynë është i ndryshëm. Ne themi jo, shteti nëse ka nevojë për kuadër adekuat në pozicionin adekuat, në shpenzim të tyre duhet ta marrë verifikimin e këtyre kualifikimeve, nëse dikush di anglisht, nëse do ta kalojë testin psikologjik apo jo, dhe e ndryshojmë konceptin.  Duhet pasur parasysh kufizimet, sipas Kodit Zgjedhor, ku nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në mbajtjen e zgjedhjeve, pra deri në ditën e konstatimit të rezultateve përfundimtare shumë gjëra nuk janë të mundshme, nga se ky është një proces që do të intensifikohet në periudhën e ardhshme, por askush nuk mund të thotë saktësisht se kur do të përfundojë – deklaroi Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Krijimi i Këshillave të ri është i rëndësishëm, sepse pa ato nuk mund të kalojë emërimi i drejtorëve. Nga BDI thonë se të gjitha pozicionet do të bëhen me marrëveshje mes koalicionit, por përsëri pa përgjigje kur kjo do të ndodhë.

Qeveria në seancën e djeshme i shkarkoi të gjithë anëtarët e këshillave të ndërmarrjeve publike, me arsyetimin se kanë nënshkruar kontrata të dëmshme menaxheriale dhe kanë emëruar persona në poste menaxhuese, me paga astronomike. Për VMRO-DPMNE-në opozitare, shkarkimi grupor është shkelje e ligjit, sepse sipas tyre këta njerëz kanë mandat për pozitat në këshilla.

Këto këshilla në nivel vjetor shtetit i kushtojnë 3 milion euro, dhe roli i tyre është që të kujdesen për funksionimin e rregullt institucional dhe zbatimin e ligjeve.