Zvarriten punimet e sistemit të kolektorit për stacionit filtrues në Shkup, me të cilin duhet të pastrohet lumi Vardar nga ujërat e zeza. I njëjti duhej të ishte gati në shkurt të vitit të kaluar, për kur e paralajmëroi Ministria e Mjedisit, por ende sistemi në fjalë nuk është realizuar. Deri më tani është ndërtuar 80%.

“Realizimi i projektit është vonuar për shkak të realizimit të dobët të kontraktorit. Aktualisht po zhvillohen negociata midis kontraktorit dhe Ministrisë së Financave, si palë përgjegjëse në projekt, për të përshpejtuar dhe përfunduar projektin”, njoftojnë nga Ministria e Mjedisit.

Kontraktorë të projektit janë kompania franceze “Gintoli” në konsorcium me kompaninë nga Shkupi “Bauer”. Nga dikasteri i Mjedisit Jetësor nuk tregojnë se cili është problemi për shkak të të cilit vonohet ndërtimi, e as nëse do të kërkojnë kompensim për mos-përmbushjen e detyrimeve. Ndërtimi është 15 muaj me vonesë. Por nuk duhet vetëm sistemi kolektor për ta pastruar lumin Vardar. Ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Shkup duhet të fillojë këtë vit, megjithatë, asnjë kompani nuk është zgjedhur ende. Atë duhet ta zgjedhë Ndërmarrja Ujësjellësi Shkup, por procedura zvarritet për shkak të Pandemisë.

“Deri në zgjedhjen e kompanisë realizuese është e nevojshme të kalojnë të gjitha fazat, të cilat janë mjaft komplekse dhe të ndërlikuara dhe në mënyrë të drejtpërdrejt varen nga komunikimi i vazhdueshëm me të gjithë të përfshirët në përzgjedhjen e realizuesit të këtij projekti. Duke e pasur parasysh situatën e përgjithshme me COVID-19 në periudhën e kaluar mes të tjerash u përballëm me probleme të cilat erdhën pikërisht nga pandemia”, thonë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup.

Shkupi është pjesë e programit “Qytetet e gjelbra” të Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim dhe me këtë pastrimi i ujërave u bë një ndër detyrat urgjente.