“Nisma për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së Zaev, është luftë politike, e cila po bëhet vetëm për pushtet”. Kështu tha për TV21 deputeti nga radhët e LSDM-së Muhamed Zeqiri. Ai thotë se me anë të inicimit të këtij mocioni institucionet Maqedonisë, po humbin kohë dhe energji, ngase, sipas tij, po anashkalohen çështjet e tjera që janë më madhore për vendin.
“Mocionin për mosbesimin e qeverise qe e ka paralajmëruar opozita është mekanizëm qe i mundësohet asaj dhe është e drejt e tyre te marrin një hap te këtillë. Asgjë dramatike. Duan te shfrytëzojnë mundësin te kthehen ne parlament gjë te cilën e përshëndesim dhe sigurisht do te tentojnë te fitojnë ndonjë pikë politike, edhe pse mendoj se do te jete shume kundërproduktive për ata”, tha Muhamet Zeqiri, deputet i LSDM-së.
Deputeti i Lëvizjes Besa Rexhep Memeti, tha se kjo qeveri nuk i përmbushi premtimet e dhëna ndaj qytetarëve, por megjithatë do të jenë të përmbajtur sa i përket votëbesimit.
“Është fakt se Qeveria, aktuale deri më tani, nuk arriti ti materializoi reformat të cilët u zotua dhe në krahasim me pritshmëritë qytetarët RM-së, akoma nuk i ndjejnë të mirat dhe ndryshimet pozitive që premtoi kjo Qeveri. Kryesia e L. Besa, duke filluar nga kryetari Gashi dhe deputet e saj, jemi të interesuar që ta përkrahim agjendën euroatlantike para se të na imponohen agjenda tjera që nuk janë në interes të qytetarëve e më së paku shqiptarëve të Maqedonisë. Prandaj ne do të jemi të përmbajtur sa i përket votëbesimit të kësaj Qeverie”, tha Rexhep Memeti, deputet i L.Besa.
Kurse kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, për TV21 tha se qëndrimi i kësaj partie për mocionin e votëbesimit do të bëhet i ditur ditën kur do të vendoset në Kuvend. Të njëjtën e thonë edhe nga krahu i BESËS së Kasamit.
Pro rrëzimit të Qeverisë është deklaruar vetëm VMRO-DPMNE, Koordinatori Dragan Danev, tha se të dielën do ta dorëzojnë nismën për interpelancë. Me këtë fakt, sipas rregullores së Kuvendit, kryeparlamentari Xhaferi do të duhet seancën për votëbesimit të Qeverisë ta caktojë për të mërkurën.
Ky do të jetë mocioni i parë i Qeverisë Zaev, pas 10 muaj qeverisje. Për rrëzimin e Qeverisë, duhet të paktën 61 vota. Tani për tani VMRO-DPMNE në Kuvend, ka vetëm 42 deputet, kurse 6 deputetëve të tjerë u është hequr imuniteti. /Tv21/