Vrasësi masiv, norvegjezi Anders Breivik, filloi seancën e sotme dëgjimore me përshëndetje naziste dhe solli edhe parulla raciste në sallën e gjyqit.
Kjo ishte seanca e parë, prej disa sa do të mbahen në ditët në vijiim në lidhje me lirimin me kusht të Anders Behring Breivikut, pas më shumë se 10 vjetësh vuajtje të burgut.
Ai u paraqit në sallën e gjyqit me kokë të rruar, me kostum të errët dhe mbante me vete mbishkrimet ku thuhej: “Ndaloni gjenocidin mbi kombet tona të bardha” dhe “Lufta Civile Naziste”.
Ai tregoi një shenjë të supremacistëve të bardhë me duar, pas së cilës ngriti dorën e djathtë për një përshëndetje naziste.
Në këtë mënyrë ai donte të vinte në dukje ideologjinë e tij të ekstremit të djathtë dhe Prokuroria kërkoi që një gjë e tillë të mos përsëritej gjatë paraqitjes së provave.
Parashikohet që në një moment gjatë seancave t’i drejtohet gjykatës vetë Breivik, ndërsa Prokuroria tha sot se ky vrasës masiv do të ishte i rrezikshëm për shoqërinë edhe pas vuajtjes së dënimit maksimal prej 21 vitesh, të cilin e ka marrë.
Gjyqi pritet të përfundojë në shtatë ditët e ardhshme, kur edhe pritet të bëhet i ditur qëndrimi përfundimtar i gjykatës nëse Breivik duhet të mbetet në burg.
Ai vrau 77 persona në një krim në Norvegji në korrik të vitit 2011. Në Oslo, ai vrau tetë njerëz përmes një bombe në veturë dhe më pas 69 adoleshentë në një kamp të të rinjve.
Vepra e tij u cilësua terroriste.