Kryeministri i Serbisë, njëherësh president i zgjedhur, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Beogradi do të angazhojë emra të njohur botërorë si ndihmues në bisedimet me Kosovën.

Këtë deklaratë, Vuçiç e bëri pasi në media ditë më parë u raportua se delegacionit të Kosovës do t’i bashkohen emra të njohur të politikës botërore, si Madeleine Albright e Martti Ahtisaari.

Megjithatë, ai ka thënë se edhe angazhimi i tyre nuk do të mund ta ndryshonte formatin e dialogut pasi që kjo varet nga konsensusi.

“Do të kemi edhe ne njerëz që do ta ndihmojnë palën tonë dhe ata janë emra të njohur botërorë”, ka thënë Vuçic, duke mos precizuar se për kë bëhet fjalë, transmeton Koha.net.

Duke folur për rajonin, Vuçic tha se atë e brengos kompania kroate “Agrokor”, tensionet në Bosnje e Hercegovinë dhe ideja e Shqipërisë së Madhe.