Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, raporton EN. Në një konferencë për media pas takimit me një delegacion të Republikës Serbe, Vuçiç tha se Kurti “po shantazhon”.

“Fakti që Albin Kurti po na shantazhon, unë do ta trajtoj atë si çdo përfaqësues të ‘institucioneve të përkohshme’. Nëse nuk i pëlqen kjo, atëherë le të provojë të bëjë diçka. Nuk do ta këshilloja”, tha Vuçiç.

Më tej Vuçiç komentoi edhe deklaratat se Serbisë po i bëhet presion nga ndërkombëtarët për njohjen e Kosovës.

“Kur kam qenë në Shtëpi të Bardhë nuk e kam nënshkruar njohjen. Njerëzit nuk kanë pse të shqetësohen për këto gjëra. E jona është të flasim. Nëse Kurti mendon se nuk do të flasë për asociacionin, atëherë s’ka pse të vijë në takim”, tha Vuçiç.

Kryeministri Kurti dje tha se është e rëndësishme që në marrëveshje të integrohen të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.