Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëse Kosova dëshiron të futet në iniciativën “Open Balkan” i njohur deri sot si “mini-Shengen”, ka lënë të kuptohet se duhet të ketë fusnotë.

Vuçiq ka thënë se nëse duket nënvlerësuese që te Kosova të vendoset ylli, atëherë le të vendoset te Serbia një katror.

“Asnjë problem nuk kanë me ne, as Bosnjë-Hercegovinën as Mali i Zi. Më duket se e njoh mirë politikën, jam veteran në politikë. Nuk e di se pse nuk marrin pjesë. Gjithkush zgjedh rrugën e vetë. Kur thoni nëse dikush është i gatshëm të futet në këtë iniciativë, mundet! Edhe nëse kërkohen përjashtime nga Serbia. Nëse për ju është nënvlerësuese që Kosova të vendoset me yll, vendosni Serbinë me katrorë. Nuk ka asnjë problem, asnjë. Bëni çfarë të doni, vetëm ejani të tregtojmë dhe të punojmë mirë”, tha mes tjerash Vuçiq gjatë Forumit për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal të mbajtur në Shkup, raporton Alsat.

Ai ka thënë se së shpejti qytetarët e këtyre tri shteteve do të mund të lëvizin pa i ndalë askush që nga Beogradi në Tiranë dhe anasjelltas.

“Nëse do të mund t’i tejkalojmë të gjitha dobësitë e administratës tonë dhe nëse mund të bëjmë këtë, më 1 janar të vitit 2023 ne më nuk do të kemi kufij në vendet tona. Gjithsesi kalimet kufitare do të ekzistojnë, por nuk do të ekzistojnë për qytetarët tonë. Thjesht, nga Beogradi do të niseni deri në Tiranë dhe askush s’do t’iu ndalë dhe e kundërta. Askush s’do pyesë asgjë dhe s’do t’iu ndalë dhe me këtë e rrisim edhe sigurinë e qytetarëve tonë. Kur të hyjmë në këtë sistem do të dimë se kush janë ata që janë marrë me krim të organizuar dhe me aktivitete ilegale dhe të tria vendet do të mund të reagojnë bashkë kundër këtyre proceseve. Kur e nisëm këtë nismë, neve të treve na është dukur se është diçka që është për të mirën tonë, për të ardhmen dhe do të ndryshojë gjërat në Ballkan. Për të gjitha gjërat që shumë lehtë i gjenim mangësi njëri-tjetrit dhe me lehtësi gjenim aryse për mosmarrëveshje të ndërsjella.Ndërkaq Serbia dhe Shqipëria kurrë nuk kanë qenë në marrëdhënie aq të afërta dhe të gjithë kishim probleme të ndryshme. Megjithatë, vendosëm se si nga fokusi nga e kaluara të kthehemi nga e ardhmja dhe të mendojmë për atë se kemi dhe duhet t’i lëmë diçka atyre që vijnë pas nesh, fëmijëve tonë. Në dy vitet e kaluara kemi zhvilluar një besim të sinqertë mes nesh në kuptim të zhvillimit të marrëdhënieve në rajon më qasje drejt BE-së dhe botës. Nuk jemi as torollakë as naivë që të mendojmë se dikush do të punojë në favor të vendeve tona”, tha Vuçiq.