Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se një fuqi e madhe do të kërkojë tërheqjen e KFOR-it dhe të UNMIK-ut nga Kosova.

Vuçiq u ka thënë gazetarëve në kazermën në Dedinje se do të ishte katastrofë nëse ndodh kjo, raporton Tanjug.

Ai ka thënë se do të bisedojë për këtë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet të hënën në Bruksel.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut (nga Kosova). Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që të mos ndodhë kjo”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Ai po ashtu tha se Prishtina ka paralajmëruar se do të ndajë 100 milionë euro në vit për ushtrinë – shumë që, sipas tij, është e pakrahasueshme me Serbinë, e cila ndan dy miliardë euro.

“Këto nuk janë të dhëna të krahasueshme, nuk duhet të kemi frikë, por është e qartë ajo që dikush dëshiron të bëjë”, tha Vuçiq.