Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media ka folur në lidhje me rolin që e ka Kosova për rrugën e shteti serb drejt BE-së.

Në këtë drejtim presidenti serb ka bërë të ditur se që nga tetori do të fillojë një fazë e re e dialogut ndërmjet dy vendeve.

“Në tetor fillon një fazë e re e dialogut ku ka nevojë të bëhen konsultime të gjera. Ky dialog duhet të jetë në shumë nivele, serioz, i përgjegjshëm dhe me objektive të qarta”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net

Ai ka njoftuar se ky dialog do të realizohet në bashkëpunim me qeverinë serbe pas bisedimeve që ka pasur me kryeministren, Ana Brnabiq.

Sipas tij, Kosova është thelbi i pranishëm në politikën e tashme dhe në të ardhmen për Serbinë.

Vuçiq deklaroi se e mbështeti koalicionin e Listës Serbe me Haradinajn, në mënyrë që në pushtet të mos vie Vetëvendosja e cila e dëshiron bashkimin kombëtar, dhe Kosova të mos shkojë në zgjedhje të reja.

Ai foli edhe për dialogun e brendshëm që do të organizohet në Serbi me temë kyçe Kosovën.

“Dialogu për Kosovë duhet të jetë i ashpër, serioz dhe tolerant. Unë jam gati të bisedoj me të gjithë. Bisedimet do të jenë të vështira, por mendoj se është me rëndësi për të ardhmen”, përfundoi Aleksandar Vuçiq.

Dialogu Kosovë-Serbi sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë në nivel presidencial.