Lëkundjet e fundit sizmike në Itali duket se kanë zhvendosur nëntokën dhe po zgjojnë një ndër vullkanet më të frikshme të Europës, Campi Flegrei.

Bëhet fjalë për vullkanin që ndodhet në krah të qytetit të Napolit, që sipas shkencëtarëve të Institutit Italian të Gjeofizikës po shfaq shenja shqetësuese zgjimi.

Sipas tyre, nëse Campi Flegrei shpërthen nuk bëhet fjalë për shpërthim në fuqinë e Vezuvit që shkatërroi Pompein e disa qytete romake në atë kohë, as për atë të Etnas në Siçili, por do të jetë një shpërthim 10 herë më i fuqishëm.

Ky është skenari më i keq i parashikuar prej tyre, që nëse është i vërtetë do të shkatërronte jo vetëm qytetin e Napolit, por edhe shumë qytete e qyteza të tjera italiane në një rreze prej disa kilometra.

“Shpërthimi do të ishte mjaft i madh dhe i rrezikshëm dhe kërcënues jo vetëm për Italinë, por për gjithë Europën”, thotë udhëheqësi i studimit të Campi Flegreit, Giavanni Chiodini.

Chiodini thotë se niveli i alarmit në Institutin Italian të Gjeofizikës është rritur nga jeshil në të verdhë që prej vitit 2012 dhe kjo do të thotë një monitorim i përhershëm i aktivitetit nëntokësor në këtë mal.

Studiuesit italianë dhe ata ndërkombëtarë që kanë hulumtuar këtë vullkan thonë se shpërthimi i fundit i tij ka qenë para 39 mijë vitesh dhe vlerësohet si shpërthimi më i fuqishëm që ka ndodhur në Europë në 200 mijë vitet e fundit.