Të gjithë kemi dërguar një mesazh të cilin pastaj kemi dashur që ta tërheqim, por kjo nuk ishte e mundshme.

Derisa aplikacionet si Viber, Skype dhe disa shërbime të tjera për dërgimin e mesazheve kanë veçorinë për tërheqje, WhatsApp ende nuk e ka këtë veçori, transmeton Koha.net. Sipas postimit të fundit të @WABetalInfo, në Twitter, WhatsApp ka bërë disa avancime në këtë segment dhe pritet që së shpejti të lansojë veçorinë për tërheqjen e mesazheve.

Fillimisht, kjo veçori është pritur të arrijë në fillim të këtij viti por duket se departamenti i zhvillimit ka pasur disa probleme dhe është detyruar që të shtyjë lansimin e kësaj veçorie.

Ende nuk dihet me saktësi se kur do të bëhet lansimi i tërheqjes së mesazheve në WhatsApp, por në bazë të postimit të @WABetalInfo lansimi mund të ndodhë së shpejti./koha.net