Një universitet në shtetin amerikan të Kansasit ka anuluar një fjalim përmes videokonferencës të Ivanka Trump, vajzës së presidentit amerikan Donald Trump, pas reagimeve të babait të saj për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd dhe protestave që janë përhapur në SHBA.

Wichita State University ka tërhequr ftesën për Ivank Trump për të marrë pjesë online si folëse në një ceremoni diplomimi.

Në një deklaratë, universiteti tha se kjo ftesë ishte “në kohë jo të duhur”, pasi aktualisht në vend temë kryesore është bërë çështja e “padrejtësisë sociale” pas vdekjes së George Floyd.

Ndërkaq, Ivanka Trump ka reaguar në Twitter ndaj anulimit të fjalimit të saj.

“Kampuset tona duhet të jenë bastione të lirisë së fjalës. Kultura e anulimeve dhe diskriminimi i botëkuptimeve janë në kundërshtim me akademinë. Dëgjimi i njëri-tjetrit tani është më i rëndësishëm se kurrë”, shkroi Trump.