Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot realizoi takim zyrtar me ambasadoren e Konfederatës zvicerane në Republikën e Maqedonisë, Sibil Suter Tejada.

Në takim, siç kumtoi Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, ambasadorja Tejada ka uruar Xhaferin për zgjedhjen në funksion dhe i ka dëshiruar mandat të suksesshëm. Ajo shfaqi shpresë se pas krizës politike, së shpejti, në mënyrë demokratike, do të rietablohen institucionet shtetërore, si fazë e ardhshme në stabilizimin e vendit, transmeton MIA.

Ambasadorja e nënvizoi gatishmërinë e mëtutjeshme të Zvicrës që aktivisht të vazhdojë me projektet në Republikën e Maqedonisë, posaçërisht me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ku në Institutin parlamentar ka rol të drejtpërdrejtë financiar dhe profesional në aktivitetet e tij. Gjithashtu, informoi për projektin e ri i cili ka për qëllim ta përfshijë tërë Kuvendin, për çka plotësisht do të përpunohen fazat, bartësit dhe aktivitetet e përgjithshme për realizimin e tij.

Kryetari i Kuvendit, ndërkaq, shprehi falënderim për ndihmën dhe mbështetjen e madhe nga Qeveria dhe Parlamenti i Zvicrës në ndërtimin dhe avancimin e kapaciteteve demokratike të Republikës së Maqedonisë dhe posaçërisht Kuvendit, me ç’rast shfaqi shpresë se ajo vazhdimësi do të përqendrohet edhe në të ardhmen.

“Dy bashkëbiseduesit këmbyen pikëpamje dhe pritje edhe për ngjarjet e 27 prillit në shtëpinë më të lartë të qytetarëve, për gjendjen aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, për hapat e ardhshëm lidhur me formimin e qeverisë së re si reflektim i shumicës parlamentare, më pas për situatën aktuale juridike lidhur me shpalljen e zgjedhjeve lokale (dhe në kontekst të projekteve tashmë të filluara të komunave me Qeverinë zvicerane), si dhe për rolin e kryetarit dhe të tërë Kuvendit në këtë procedurë në pajtim me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore”, thuhet nëp kumtesë.

Duke besuar në bashkëpunimin e mëtutjeshëm, shtohet, posaçërisht për shkak të lidhjeve të ngushta njerëzore që dy shtetet i kanë me dekada prapa të vendosura përmes diasporës së shumët nga Maqedonia e cila jeton, punon dhe realisht kontribuon në jetën ekonomike dhe sociale në Zvicër, bashkëbiseduesit shprehën pritje se bashkëpunimi i ngushtë, i përzemërt dhe miqësor ndërmjet dy shteteve do të vazhdojë me tempo të njejtë edhe në periudhën në vijim.