(Bashkëfajësia e subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe rishqyrtimi i partneritetit me subjektet politike joshqiptare me të kaluar kriminale)

Abdulla Mehmeti

Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me një subjekt politik përfaqësuesit e të cilit janë fajtorët kryesorë për degradimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve, nga populli shtetformues sipas Kushtetutës së mëparshme të vitit 1974, në pakicë kombëtare, me Kushtetutën e Maqedonisë, të vitit 1991 dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, prej nga burojnë të gjitha fatkeqësitë, ligjet dhe aktet tjera ligjore e nënligjore diskriminuese ndaj shqiptarëve në këtë shtet;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, duke besuar në ndërtimin e pushtetit demokratik, shtetit ligjor, shoqërisë shumetnike, me subjektin politik, udhëheqësit e të cilit organizuan protestat antishqiptare të vitit 1997, në Shkup dhe qytete të tjera të vendit, kundër arsimit të lartë në gjuhën shqipe, kundër Universitetit shqiptar të Tetovës, kundër gjuhës shqipe, arsimimit dhe përparimit të shqiptarëve;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me ideatorët, nxitësit dhe organizatorët kryesorë të protestave më antishqiptare në historinë e këtij shteti, përfshirë edhe periudhën e regjimit komunist, me kreatorët e afisheve, nxitësit dhe aktorët më të zëshëm të britmave kundër shqiptarëve: ,,Dhoma gazi për shqiptarët”, ,,Vdekje shqiptarëve”, ,,Shqiptar i mirë vetëm shqiptari i vdekur”, ,,Shqiptarët, jashtë kufirit”, ,,Gjuhë shqipe në Shqipëri, jo në Maqedoni” etj., në protestat antishqiptare të vitit 1997 dhe më vonë;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me nxitësit, frymëzuesit dhe organizatorët e Referendumit shtetëror-partiak të vitit 2004, kundër Ligjit për ndarjen territoriale të shtetit, vetëm pse përmes tij u korrigjuan disa padrejtësi ndaj shqiptarëve në nivel të pushtetit lokal, me ndarjen disi më të drejtë të komunave të reja, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e banorëve në krahasim me të tjerët;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me forcat më antishqiptare që mbollën terror, grasatuan, shkatërruan dhe dogjën vendbanime të tëra shqiptare gjatë konfliktit të vitit 2001, vranë qytetarë të pafajshëm, gra dhe fëmijë;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me një subjekt politik që nxiti, frymëzoi dhe realizoi projektin më antishqiptar në historinë e këtij shteti, projektin ,,Shkupi 2014”, për ndryshimin e identitetit të Shkupit, kryeqytetit historik të shqiptarëve;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me forcat politike armiqësore që nxitën, frymëzuan, përgatitën, realizuan dhe publikuan Enciklopedinë antishqiptare, në frymën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe të Elaborateve serbe për shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e veta etnike, me përmbajtje tepër shoviniste, armiqësore dhe poshtëruese ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe kombin shqiptar në përgjithësi;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me projektuesit e idesë për ndarjen e Maqedonisë sipas konceptit të Akademisë dhe Elaborateve serbe, për shkëputjen nga shteti të dy-tri komunave me shumicë shqiptare dhe ngritjen e murrit ndarës mes trojeve etnike shqiptare, rajoneve, qyteteve dhe katundeve, historikisht të banuara nga shqiptarët autoktonë;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me nxitësit, frymëzuesit dhe realizuesit e akteve më barbare ndaj objekteve fetare, historike e kulturore, djegien dhe rrënimin e kishave, manastireve, xhamive, teqeve, objekteve e monumenteve të tjera kulturore dhe historike të shqiptarëve;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me nxitësit dhe organizatorët e përdhosjes, shkatërrimit, vandalizmit dhe djegies së monumentit më të shenjtë të historisë, kulturës dhe gjuhës shqipe, objektit të Kongresit të Manastirit, në ditën e festës kombëtare të Alfabetit të gjuhës shqipe;
Të jesh aleat dhe partner në qeveri, me një subjekt politik me të kaluar kriminale dhe terroriste, pa e shqyrtuar të kaluarën e atij subjekti, me të cilin duhet të qeverisësh shtetin dhe ndërtosh ardhmërinë e vendit, pa e kushtëzuar këtë subjekt të distancohet nga e kaluara e vet kriminale dhe t’i kërkojë falje publike popullit shqiptar, për të gjitha ofendimet, falsifikimet, krimet dhe fatkeqësitë që i ka sjellë në të kaluarën, sidomos nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot, ky nuk është gabim politik, por krim ndaj popullit shqiptar, ndaj historisë, kulturë dhe gjuhës shqipe; kjo është më tepër se pjesëmarrje në krim, kur armikut të hapur të popullit tënd dhe të qytetarëve që të mbështesin dhe votojnë, xhelatit të shqiptarëve, ua mbreh thikat e shpatat që të bien më fortë e pamëshirshëm mbi shqiptarët!

(19.03.2017)