Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi thotë se nuk di se kë duhet ta ftojnë. Sipas tij, ASH nuk është opozitë se ende është pjesë e qeverisë, e sa i përket Besës, Ademi tha se nuk e diN se sa Besa ekzistojnë për momentin.

“Kush është opozita shqiptare? Këtë shqetësim që e ngrenë liderët e partive të vogla shqiptare në takimin e katërshes në klubin e deputeteve e ka ngritur edhe Ivanovi dhe dilema tek pjesëmarrësit ka qenë se kush është opozita? Aleanca akoma vazhdon të jetë në pushtet nëpërmjet zëvendës-ministrave dhe drejtorëve, Besa? Nuk e dimë sa Besa ka… Zoti Kasami në opinion njihet si lideri i Besës me deputet të RDK-së”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Ai rikujtoi partitë shqiptare nënshkruese të Deklaratës së Përbashkët se para kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhanë premtim se do të përkrahin partinë që do të fitojë më së shumti mandate.   

“Do rikujtoj opinionin se liderët e partive politike shqiptare në Deklaratën e Përbashkët të partive parlamentare shqiptare dhe në zotimin personal marrë para kryeministrit Edi Rama, mbështesin partinë më të madhe fituese shqiptare, me mandat të plotë për të përfaqësuar agjendën nga Deklarata e Përbashkët e subjekteve parlamentare shqiptare”, shtoi Ademi.

 Ademi informoi se BDI ende po pret që partitë tjera nënshkruese ta thërrasin Tryezën e Përbashkët, kurse radhën e ka PDSH-ja. Nga PDSH nuk ka përgjigje se kur kjo do të ndodhë. Takimi i fundit mes partive parlamentare shqiptare në kuadër të Tryezës së Përbashkët ndodhi para më shumë se 1 viti.