Edhe pse emri i tij u përfol gjatë si personi i cili mundësoi gjetjen e zgjidhjes për ngërçet politike në Shqipëri dhe Maqedoni, zv.ndihmës sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee, në një intervistë për “European Western Balkans”, ai nënvizon se merita u takon vetëm politikanëve të këtyre vendeve.

“Merita e vërtetë u takon liderëve të shteteve, të cilët ishin në gjendje të merrnin vendime të vështira, siç ishte në Maqedoni, ku presidenti Ivanov vendosi t’i japë mandatin koalicionit parlamentar i cili kishte shumicën dhe në këtë mënyrë mund të formohej qeveria. Apo opozita në Shqipëri, e cila mori një vendin të rëndësishëm duke ndryshuar pozicionin e saj dhe vendosi të marrë pjesë në zgjedhje të cilat u shtynë. Merita i takojnë dhe qeverisë, kryeministrit Rama, i cili u desh të gjente një zgjidhje fleksibël, të domosdoshme për të bindur opozitën që të kthehej”, deklaron Yee.

Yee është pyetur dhe për deklaratat për “Shqipërinë e Madhe”.

“Nuk besoj se ka një lëvizje serioze për “Shqipërinë e Madhe”, apo ndonjë dëshirë nga shqiptarët, kudo ku ata janë, në Maqedoni, Mal të Zi, apo vetë Shqipëri, për t’u bashkuar dhe për t’u bërë një shtet i ri, apo një lëvizje e re në Ballkanin Perëndimor. Qëndrimi zyrtarë dhe unë besoj që është qëndrimi i sinqertë i partive politike në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri është për t’u integruar në Bashkimin Europian, të bashkohen me NATO-n kur është ë mundur, si pjesë e shtetit ku ata janë, jo duke ndryshuar kufijtë, jo si super etnitet kombëtar, por brenda kufijve sovranë ku ata jetojnë”, ka thënë Yee.

Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit është ndalur dhe tek ndikimet e Rusisë në Ballaknin perëndimor, ku ka kërkuar nga Serbia të jetë më e kujdesshme.

“Ne e kuptojmë historinë dhe lidhjen e gjatë mes Rusisë dhe Serbisë. Sigurisht ne nuk tentojmë të hyjmë mes Serbisë dhe Rusisë. Mesazhi jonë për Serbinë është që të jetë vigjilente dhe të kuptojë çfarë Rusia ka qëllim të bëjë dhe pse. Për shembull, do të krijojë të ashtuquajturën “qendër humanitare” në Nish. Unë mendoj se nuk është e qartë se çfarë Rusia do të bëjë dhe nuk mund t’ju them cila është strategjia e saj. Por ajo që shohim janë përpjekjet e fundit të Rusisë për të ndaluar vendet që të ndjekin strategjitë e tyre kombëtare, siç është integrimi në BE ose në NATO, ose thjesht të kenë burime të pavarura dhe të diversifikuara të energjisë”, ka shtuar Yee.

/ Top Channel