Me risi, dështime dhe ngecje të një spektri të madh të fushave, mbrëmë pas mesnate u përmbyll edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizioni Shqiptar.

Me fitoren e Linda Halimit dhe krijimit të saj ‘Botë’, Shqipëria tashmë ka emrin me të cilin do të përfaqësohet në Kiev të Ukrainës në festivalin e madh të Këngës, Eurovision.

Si çdo herë tjetër në secilin kompeticion, edhe kësaj rradhe ato që pasuan ishin mospajtimet dhe kritikat që adresë kryesore tashmë kanë rrjetet sociale.

Ndonëse fitorja e Lindita Halimit nuk është se pati shumë kundërshtime krahasuar me triumfimin e disa artisteve në edicionet paraprake, sërish zërat skeptikë nuk munguan.

Pas shpalljes së fitueses, rrjetet sociale u vërshuan me një përkrahje edhe më të madhe për këngëtarin e talentuar Yll Limanin, i cili garoi për herë të parë me projektin ‘Shiu’.

Kënga e interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga emri i ri në moshë vodhi zemrat e publikut që menduan se ‘Shiu’ do ishte kënga e duhur për Eurosong. 

Përkrahja për Limanin u vërejt më së miri me pjesën e votimit nga publiku, e përfshirë në formulë për të parën herë këtë vit. Këngëtari nga Prishtina mori dhjetë pikët maksimale, krahasuar me pesë të Lindës duke vënë në pah një diskrepancë të madhe me vlerësimin e jurisë që e rangoi si të katërtin.

Megjithatë, duket se kjo nuk e ka mërzitur shumë Yllin i cili i kontaktuar nga Prive.al u shpreh përgjithësisht i kënaqur me atë që i dha garimi në këtë festival.

‘Eksperienca në Festivalin e Këngës ishte e jashtëzakonshme. Të këndosh live me një orkestër gjigande është emocion që nuk përshkruhet dot. ‘Shiu’ arriti tek publiku shqiptar, morri jehonën që unë ëndërroja ta merrte dhe cmimi i publikut është fitorja më e madhe’ – u shpreh Ylli.

Këngëtari nënvizoi habinë me disa anëtarë të jurisë që këtë projekt muzikor e vlerësuan me zero pikë, duke kthyer kështu në kujtesë disa episode të tilla vite më parë që patën shkaktuar shumë pakënaqësi.

‘Është pak e cudithsme që mora pikë maksimale nga disa anëtarë të jurisë dhe zero nga pjesa tjeter por kjo nuk më mërzit aspak. Historikisht ata që morren zemrat e publikut i mbijetuan më gjatë skenës muzikore shqiptare‘ – shtoi Ylli.

Në prononcimin për Prive.al, këngëtari i pyetur mbi këngën fituese të Linda Halimit dha opinionin e tij.

‘Kënga e Lindës është këngë që më pëlqeu shumë që në dëgjimin e parë. Në të kaluarën, Linda na ka bërë krenar me përfaqësimin e saj nëpër botë dhe e njejta bësoj që do të ndodh edhe në skenën e Eurovisionit‘ – deklaroi këngëtari.

Se si do rangohet ‘Botë’ nga Linda Halimi është ende herët të thuhet por e rëndësishme është që me gjithë problemet e ‘skandalet’ që e shoqeruan FiK në edicionin e 55-të të tij, sërish ky festival i dha diskografisë shqiptare disa këngë që do mbahen mend, përfshirë ‘Shiun’ e Yll Limanit.