Zoran Zaev është i bindur në mbështetjen e partive shqiptare për formimin e Qeverisë dhe i sigurt se asnjë parti shqiptare nuk do të pranojë të bëjë koalicion me VMRO DPMNE-në. Duke komentuar kërkesën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, Zaev tha se humbësi i vetëm prej zgjedhjeve eventuale do të jetë Nikolla Gruevski pasi që edhe po të fitojë më shumë deputetë se LSDM-ja, besimi i partive dhe qytetarëve shqiptar është kthyer kah LSDM-ja dhe askush nuk do të dëshirojë të bëjë koalicion me VMRO DPMNE-në.

“Të supozojmë në mënyrë teorike, Nikolla Gruevski të fitojë 62 deputet, me cilën parti shqiptare do të bëjë koalicion?! Ai kishte 62 deputet, BDI ishte në koalicion me të…Partitë shqiptare në periudhën e kaluar e panë se si po lëvizë besimi tek qytetarët. Ne jemi partia politike e cila gëzon përqindjen më të madhe të besimit tek qytetarët dhe gëzojmë më së shumti besim edhe tek shqiptarët në Maqedoni dhe për këtë ne jemi krenar”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev

Ai gjithashtu tha se mesazhet e Komisarit Han dhe eurodeputetëve ishin të qarta, se duhet urgjentisht të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohet Qeveria pasi Maqedonia po rrezikon rrugëtimin euroatlantik por edhe stabilitetin e shtetit pasi mund të ngacmohen tensione ndëretnike.

Gazetari: “Edhe pas vizitës së Hanit nuk ndryshoi asgjë.”

Zoran Zaev: “Sigurisht që ka ndryshuar. Sipas meje, Bashkimi Evropian ka ndikim tek ne. Ne jemi shtet kandidat dhe derisa na vizitojnë është mirë. Dje edhe njëherë u dërgua mesazhi nga komisari Han dhe eurodeputetët të angazhuar për Maqedoninë që proceset demokratike të vazhdojnë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe rregullohen e Kuvendit. Të zgjidhet kryetari i kuvendit dhe të formohet QEveria. Mesazhi ishte që të ketë transferim të shpejtë të pushtetit, dhe këtë mesazh nuk mundemi ta anashkalojmë. Be ka qasje pozitive ndaj nesh. Komisari tha se dëshiron të hapë kapitullin e gjyqësorit dhe sigurisë që janë shumë të rëndësishëm për ne, kjo për ne është edhe formë e hapjes së dialogut ose negociatave”

Teksa fliste për VMRO DPMNE-në, Zaev referohej me opozita e ardhshme. Ai po ashtu kritikoi fjalorin e urrejtjes së VMRO DPMNE-së dhe albanofobinë e tyre, sipas tij.

/SHENJA/