Dokumenti i publikuar nga Wikileaksi, në të cilin theksohej se Qeveria e Maqedonisë në korrik të vitit 2008, kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski, kishte pranuar që shteti ta ndërrojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, ka shkaktuar reagime të shumta si në Shkup, ashtu dhe në Athinë.

Për kryeministrin aktual, Zoran Zaev, dokumenti i zbardhur është arsye shtesë për ta mbështetur referendumin e 30 shtatorit në lidhje me marrëveshjen me Greqinë për emrin.

E dini se i kam pasur bisedat që tani i ka Prokuroria Speciale Publike. Shumë qeveri janë përpjekur, edhe qeveria e mëparshme është përpjekur të gjejë zgjidhje. Një pjesë e zgjidhjeve për emrin dhe përdorimin e tij të përgjithshëm, siç njihet “erga omnes” ishte pranuar edhe për “Maqedonia e Veriut” edhe për “Maqedonia e Epërme”.

Më vjen mirë që na u konfirmua tërësisht identitetit ynë, gjuha maqedonase, që ishte synim i ekipit negociues. Unë besoj se këto dëshmi që dalin në opinion janë vetëm edhe një arsye që të qëndrojmë të gjithë së bashku, të sigurojmë të ardhme të mirë për Maqedoninë”- tha Zoran Zaev, kryeministër, transmeton Alsat-m.

Nga ana tjetër shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias tha se ish kryeministri, Nikolla Gruevski ka aktruar se ka dashur ta zgjidhte çështjen e emrit. Ndërsa lideri i partisë opozitare, Demokracia e Re, Kiriakos Micotakis e quajti tragjik dokumentin e Wikileaksit.

Është e ditur se Gruevski nuk dëshironte çfarëdo zgjidhje për çështjen e emrit. Me qëllim që ta mashtrojë bashkësinë ndërkombëtare, ai sillej sikur do të dorëzohej ndaj presionit që të pranojë kompromis. Askush nuk i besonte, përveç, Micotakisit”- u shpreh Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Sot nga Vikiliks kuptuam se Shkupi në vitin 2008 paska kërkuar që shteti të riemërohej në “Maqedonia e Veriut”, ndërsa qytetarët e saj të quheshin “maqedonas”, të cilët gjoja flasin “gjuhë maqedonase”. Kjo konfirmon atë që për muaj me radhë e them se kryeministri, Cipras, ministri i Mbrojtjes, Kamenos dhe Kocias duan që ta prezantojnë këtë marrëveshje të dëmshme për Greqinë si sukses, që i plotëson kërkesat e Shkupit”- theksoi Kiriakos Micotakis, nga Demokracia e Re.

Micotakis tha se partia e tij nuk do ta ratifikojë marrëveshjen. Në dokumentin e Ambasadës Amerikane në Shkup që u publikua nga Wikileaks thuhet se qysh në vitin 2008 Shkupi zyrtar dha pëlqim për ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, me kusht që në marrëveshje të përfshihet edhe njohja e gjuhës dhe kombit maqedonas.