Kryeministri Zoran Zaev dje gjatë qëndrimit në Tetovë është takuar me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas burimeve partiake për INA, Zaev i ka shpalosur planin Ahmetit se kë nuk e planifikon në Qeveri dhe poste tjera, si propozime personale që nuk kanë arritur rezultate.

“Po sigurisht se mund të jetë biseduar edhe një temë e tillë, pasi që janë parë dhe bashkë kanë qëndruar edhe në takimin që ishte publik në kompaninë Ecolog në Tetovë. Janë detaje që presim të shpalosen nga Ali Ahmeti”, theksoi një zyrtar i kësaj partie. Ndërkohë, një takim tjetër është paralajmëruar deri në fundjavë midis Ahmetit dhe Zaev, ku pikërisht do të diskutohet për “fshesën” e paralajmëruar për shkarkimin e ministrave dhe funksionarëve të tjerë që nuk kanë dhënë rezultate.

Kryeministri Zoran Zaev bëri të ditur se përveç ndryshimeve në kabinetin qeveritar, do të ketë ndryshim edhe të strukturave drejtuese në institucionet e tjera që janë në kompetencë të Qeverisë por edhe në LSDM.

“Besoj se në fillim të qershorit do të dal me ndryshimet komplete në strukturat udhëheqëse në nivel të ministrave dhe institucioneve shtetërore dhe besoj nga fundi i qershorit do të lëshohemi edhe në vertikale në vetë komunat ku shteti përfaqësohet me institucionet e tij. Paralelisht më këtë, unë si kryetar i LSDM-së duhet të bëj disa ndryshime në partinë time politike sepse një pjesë e reflektimit të qytetarëve vjen nga partia e parë në pushtet”, theksoi Zaev. Ndërsa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ende nuk ka folur për këtë temë, derisa ministrat e tij kanë pranuar se për fatin e tyre vendos lideri i tyre dhe organet e larta partiake. Në opinion kanë qarkulluar emra të ministrave se kush mund të shkarkohet. (INA)