Në takimin e kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të partisë politike Alternativa, Afrim Gashi, të cilët me ekipet e tyre patën takim pune në Klubin e deputetëve është arritur pajtueshmëri parimore për pjesën programore nga bashkëpunimi i mundshëm i ardhshëm, i shprehur përmes pjesëmarrjes politike dhe ekzekutive të Alternativës në Qeveri.Siç kumtoi Shërbimi qeveritar për shtyp, bashkëbiseduesit janë të mendimit se kursi reformues dhe evropian për të cilin janë përcaktuar qytetarët dhe shteti duhet të vazhdojnë dhe se në këto momente më i rëndësishëm është stabiliteti i institucioneve të shtetit, të cilat u shërbejnë qytetarëve.Në atë mënyrë, shtohet në kumtesë, do të sigurohen edhe zgjidhjet më të mira për sfidat më të mëdha aktuale siç janë pandemia e Kovid-19 dhe kriza globale energjetike.“Filluan bisedimet për ndërmarrje dhe ndarje të përgjegjësive në interes të qytetarëve dhe shtetit, me ç’rast u këmbyen mendime rreth zgjidhjeve të mundshme kadrovike të cilat duhet t’i ndërmarrin obligimet potenciale dhe përgjegjësitë, përkatësisht për pozitat adekuate, ministra, zëvendësministra dhe persona të tjerë udhëheqës në kuadër të pushtetit qendror”, qëndron në kumtesën e shërbimit qeveritar për shtyp.Në ditët që pasojnë, do të vazhdojnë konsultimet në partitë, pas çka do të pasojë edhe takimi i ri i punës mes kryeministrit Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Gashi me ekipet e tyre.

Para fillimit të takimit, kryeministri Zaev nuk deshi të komentojë asgjë, dhe paralajmëroi se pas mbajtjes së tij do të ketë kumtesë.

“Nuk mund të themi asgjë para se të mbahet takimit”, tha shkurt Zaevi në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për të komentuar kërkesat e Alternativës për hyrje në Qeveri.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi para mbajtjes së takimit theksoi se përcaktimi i partisë është të jepet mundësia për dalje nga kriza politike, si dhe nga kriza energjetike dhe shëndetësore dhe siç tha, të ndihmohet shteti që të mos e humbë mundësinë historike për të filluar negociata për anëtarësim në BE.

“Do të shohim se cili është koncepti i kryeministrit dhe partnerëve të tij të tanishëm dhe çka presin nga kontributi ynë në qeverinë e ardhshme. Nëse arrijmë të ndërtojmë koncept të ri, ndryshime më të mëdha, mendoj se Alternativa është e gatshme të ndihmojë”, tha Gashi.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se sa vende ministrore pret partia e tij, kryetari i Alternativës theksoi se për partinë kjo asnjëherë nuk ka qenë me rëndësi thelbësore dhe se për të nuk është me rëndësi të bisedohet për kritere politike.

“Ajo pyetje është pjesa e dytë e cila është sekondare për ne dhe mjaft më e parëndësishme nga e para që është normative, rreth konceptit të cilin do ta ndërtojmë së bashku dhe nëse do të mund t’i mënjanojmë ato pengesa gjatë funksionimit të deritanishëm të Qeverisë, tha Gashi.

Ai tha se partia mbetet në qëndrimin se në interes të të gjithë qytetarëve është të mos ketë zgjedhje të shpejta.

Lidhur me atë nëse për Alternativën është e pranueshme që mandatar i ri përkatësisht kryeministër të jetë Dimitar Kovaçevski nga LSDM, i cili për momentin është zëvendësministër i Financave shkurtimisht tha se për ta me rëndësi është që koncepti të dakordohet në mënyrë konceptuale, e jo ata të vendosin për zgjidhje kadrovike të partive të tjera politike.

“Ne bisedojmë me LSDM-në dhe me partnerët e tjerë dhe shumë me rëndësi për ne është të dakordohemi në mënyrë konceptuale se si do të vazhdojmë më tej. Çfarë vendime do të sjellin LSDM dhe partitë e tjera mendoj se është e papërgjegjshme dhe pa ndërgjegjshme ne të vendosim çështje të tillë. Nuk është me përgjegjësi ne të kërkojmë nga një[ parti tjetër se kush do të jetë mandatari apo kryeministri. mendoj se ajo është punë e LSDM-së, ajo është partia më e madhe dhe ata duhet të vendosin se kush është kryetari i tyre apo mandatari”, tha Gashi.

Ky është takimi dytë i Zaevit dhe Gashit, pasi që me datë 19 të këtij muaji ata biseduan për kushtet dhe rolin e Alternativës në shumicën e re parlamentare, ndërsa vendimin përfundimtar do ta sjellin organet partiake.

Kryesia qendrore e Alternativës të premten e autorizoi Gashin të fillojë bisedime me të gjithë aktorët politik, me kryeministrin dhe me mandatarin e ri të mundshëm, për të parë se cili është koncepti i tyre për dalje nga kriza politike, përderisa në mbledhjen e Këshillit qendror të LSDM-së, që u mbajt gjithashtu të premten, u konstatua dorëheqja e Zaevit nga pozita e liderit të partisë, por i ishte dhënë legjitimiteti për t’i zhvilluar negociatat për shumicën parlamentare.