Gjashtë deputetë të VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit, kanë ndihmuar dhunën në Kuvend më 27 prill ku në shënjestër të protestuesve ishin deputetët e LSDM-së dhe partive shqiptare, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Publike e Shkupit për ngjarjet në institucionin ligjvënës.

“Dy deputetë të VMRO DPMNE-së kanë marrë pjesë në heqjen e profileve të hekurit nga dera kryesore kurse katër të tjerë kanë orientuar masën për tek salla e konferencës për mediat ku gjendeshin deputetët e shumicës parlamentare. Këtë e them nga dëshmitë e siguruara nga incizimet brenda Kuvendit, por edhe nga ato që tanimë po qarkullojnë në opinion. Nuk e di se si këtë nuk po e shohin kolegët deputetë nga VMRO-ja”, ka deklaruar Zaev.

Kreu i LSDM-së dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër tha se qëllimi i grupit që pushtoi Kuvendin ishte, sipas tij, “vrasja e deputetëve të partisë së tij, por edhe të partive tjera të shumicës parlamentare”.

Ai tha se dëshmitë që ka paraqitur do t’i shërbejnë zbardhjes së këtij rasti të tmerrshëm të paraparë jo vetëm në Maqedoni por edhe në asnjë vend tjetër në botë.

“Sot isha në prokurorinë publike si palë e dëmtuar, një nga ata që ishin objekt i drejtpërdrejt i sulmit nga masa e futur në Kuvend, e cila kishte për qëllim të vriste deputetë përmes një plani të hartuar mirë dhe me paramendim. Besoj se dëshmitë do të ndihmojnë në zbardhjen e dhunës dhe ia lë profesionistëve të vendosin se për cilën vepër do të përgjigjen sulmuesit”, ka deklaruar Zaev, duke kërkuar përgjegjësi për çdo veprim që kishte ndodhur natën e sulmit në Kuvend.REL