Kryeministri Zoran Zaev thotë se nuk do të ketë rikonstruim të Qeverisë por vetëm plotësim të vendeve të zbrazëta. Sipas tij zgjedhja e ministrave të rinj është cështje ditësh. Zaev tha se së shpejti do të zgjidhet edhe ministri i ri i Shëndetësisë,por pa saktësuar se nga cila parti do të jetë ai. Ai gjithashtu foli edhe për paralajmërimet e VMRO-së për mos-mbështetjen e ligjeve të rëndësishme për integrimin evropian. Zaev tha se pret që opozita të jetë konstruktive sa i përket përmbushjes së reformave.

Po punohet për plotësimin e vendit të Ministritë të Shëndetësisë i cili mbeti i zbrazët pas largimit të kryetarit të tanishëm të Gostivarit Arben Taravari. Me të vërtetë me ndarjen fillestare, shëndetësia iu nda Aleancës për Shqiptarët për shkak të mjekut Arben Taravari, i cili ishte personalitet i pranueshëm para së gjithash nga sfera e mjekësisë. Tani po bisedojmë se si kjo në të vërtetë të plotësohet. Nuk bëhet fjalë për ndonjë rikombinim tjetër. Qeveria nuk mendon në këtë drejtim. Jam i bindur se edhe disa ditë do ta bëjmë të ditur përbërjen e plotë të Qeverisë – deklaroi kryeministri Zoran Zaev./Alsat-M/