Propozimi i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk është për tu mbështetur, dëshmia është subjektive dhe secili mund të siguroje 3 dëshmitarë, pastaj të merr shtetësinë, nuk shkon kjo kështu deklaroi sot kryeministri Zaev në lidhje me propozimet e ASh-AA për Ligjin për Shtetësinë, propozim ky, i cili në mes të tjerash parasheh marrjen e shtetësisë maqedonase me 3 dëshmitarë

Sipas kryeministrit Zaev, procedura e propozuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është e ngjashme me procedurën e martesës, ku të nevojiten vetëm 2 dëshmitarë, ai ndërkaq potencoi se do të mbështet çdo përshpejtim të marrjes së nënshtetësisë.

“Do të mbështes procedurë për përshpejtim të marrjes së shtetësisë për ata 600 mijë deri në 800 mijë qytetarë që janë konstatuar si pa shtetësi, dhe sado qofshin ata në të ardhmen, të cilët në mënyrë më të shpejtë por edhe më profesionale do të konfirmonin arsyet e marrjes së shtetësisë. Propozimi i Aleancës për Shqiptarët nuk është për tu mbështetur, e respektoj si partia më e madhe opozitare shqiptare mirëpo në vetë propozimin e tyre thonë me 3 dëshmitarë, e dini, dy ju duhen për tu martuar, edhe atë kjo është e mjaftueshme për martesë ndërsa për shtetësi nuk është e mjaftueshme, nuk është askund kjo praktikë” tha Zaev sot në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se sipas propozimit të ASH-AA, secili person i cili do të dëshironte shtetësinë e RMV-së do të mund të mblidhte 3 persona nga rrethi i ngushtë dhe ta realizoje këtë, sipas Zaev, kjo nuk do të ishte zgjidhje e këtij problemi.

“Me dëshmitarë nuk kryhet kjo punë, dëshmia është subjektive, secili mund të mbledh 3 persona nga rrethi i ngushtë të dëshmojnë dhe morri fund, kjo nuk është zgjidhje e problemit. Nuk ka rëndësi a vjen nga opozita apo pozita” shtoi Zaev.

Ndërkaq, ai konsideron se pjesa më e madhe e qytetarëve të cilët nuk janë të pajisur me shtetësi në vend janë rom, pas tyre ai radhiti shqiptarët dhe maqedonasit.

“Pjesa më e madhe e atyre qytetarëve pa shtetësi janë ata më të varfrit, romët, pastaj janë shqiptarët, ka edhe maqedonas, boshnjak dhe nga të gjitha nacionalitetet. Ata janë qytetarët tanë, ne jetojmë me ata, ata janë këtu dhe për fat të keq deri tani nuk kanë pasur të drejtë të sigurimit social, shëndetësor dhe benefitet tjera shtetërore” tha kryeministri Zaev.

Rikujtojmë se nga Aleanca për Shqiptarët (ASh) kanë deklaruar se janë të gatshëm të heqin dorë nga propozimi për 3 dëshmitarë, por me kushte.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, një muaj më herët deklaroi se ky propozim i tyre në lidhje me dëshmitarët nuk është i domosdoshëm dhe se i njëjti mund të zëvendësohet, në qoftë se siç thotë ai, ka propozime tjera të cilat do të zgjidhnin këtë problematikë.

“Absolutisht, në qoftë se ka propozime dhe ideja kreative të cilat do të kishin mundësuar mbulimi e kësaj zbrazëtirë që e mendojnë ata, ne jemi të gatshëm, qëllimi jonë është vetëm të mundësojmë që ato qytetarët të cilët pas 8 shtatorit të vitit 1991 kanë ngelur pa shtetësi. Ata qytetarë të cilët kanë jetu në këtë shtet, kanë pasur shtetësi jugosllave, dhe pastaj pas pavarësimit e kanë humbur këtë, kjo është në kundërshtim me konventën ndërkombëtare” tha deputeti Halili Snopçe në 10 minuta, TV21.

Çfarë propozon Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa?

Propozim ligji i ri për nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga grupi parlamentare ASH – AAA, parasheh lehtësim të procedurës së marrjes së këtij dokumenti, në krahasim me rregullat dhe procedurat e deritanishme. Qytetarëve që kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut në kohën e Jugosllavisë ose janë lindur në Maqedoni, pavarësisht vendit të prejardhjes dhe kanë jetuar këtu deri më 8 shtator 1991, t’u mundësohet të marrin nënshtetësi, njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare sipas Kushtetutës, janë disa prej lehtësimeve që parasheh propozim ligji për nënshtetësi.

Ndërkohë, ky koalicion ka promovuar një platformë kombëtare ku të gjithë qytetarët, pa dallim, do të kenë mundësi të paraqesin problemin e tyre për marrjen e shtetësisë. Synimi i kësaj platforme është grumbullimi i informacioneve nga qytetarët të cilët ballafaqohen me problemin e marrjes së shtetësisë, tani 30 vjet, që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Informacionet e qytetarëve, kjo qendër, do t`i grumbullojë, përpunojë, seleksionojë dhe në fund do të bëjë një analizë profesionale, e punuar nga ekspert juridik.