Është e nevojshme dhe përgjegjësi që të gjindet zgjidhje që zgjedhjet të mbahen para fillimit të verës, më së shumti për shkak të shëndetit të njerëzve. Prandaj, mesazhi im dhe i yni është: zgjedhjet janë zgjidhje e jo problem. Zbatimi i zgjedhjeve kërkon kujdes dhe përgjegjësi nga secili prej nesh, me ç’rast është e qartë se zgjedhjet janë mekanizmi i vetëm demokratik që qytetarët ta kthejnë legjitimitetin e pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, porositi sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nga Strumica, ku mbajti takim pune me kandidatët për deputetë nga lista zgjedhore 4.

Shtoi se zgjedhjet janë të nevojshme që të sigurohen institucione tërësisht funksionale, të cilat do ta mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe të cilët do të sigurojnë ristart të plotë të ekonomisë vendore. Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e parë të mundshëm, në pajtim me mundësitë ligjore dhe sipas situatës me epideminë. Përsëriti se zgjedhjet duhet të mbahen me të gjitha masat e mbrojtjes dhe pa ngjarje masive.

“Maqedonia e Veriut duhet me përkushtim dhe me njëqind për qind kapacitet të institucioneve ta presë shtatorin. Të jemi tërësisht të gatshëm për përballje edhe më masive me pasojat nga vijimi i deritanishëm i pandemisë dhe me valën e re të pritur të virusit”, nënvizoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Theksoi se LSDM-ja dëshiron zgjedhje në të cilat do të marrë pjesë opozita.

“Ne kemi kapacitet të fuqishëm demokratik dhe si deri më tani do të bëjmë gjithçka që opozita ta marrë përgjegjësinë e saj. Përfundoi koha kur opozita, në atë kohë LSDM, mësonte nga televizori kur do të mbahen zgjedhjet. Kuptohet, nëse VMRO-DPMNE-ja vendos ta pengojë këtë proces të nevojshëm demokratik ne nuk do të kemi zgjidhje përveç që t’i respektojmë afatet ligjore për procesin zgjedhor”, ka thënë Zaev.

Ai edhe njëherë apeloi deri tek qytetarët që t’i respektojnë masat për mbrojtje, sepse kjo është mënyra e vetme që të pengohet kulmet e infektimit.