Nuk është e vërtetë që Bullgaria e konteston identitetin maqedonas. Kjo është gënjeshtër, thotë ministrja bullgare e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, në një intervistë për “zoom.mk”.

“Ne e kemi thënë atë shumë herë dhe politikanët tuaj e dinë këtë. Por është më lehtë t’ia paraqesësh shoqërisë maqedonase dhe politikanëve evropianë se ne po kontestojmë identitetin juaj. Çështja nëse e kontestojmë identitetin u zgjidh me aktin e njohjes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, si vendi i parë”, deklaroi Zaharieva.

Ajo thotë se në Bullgari nuk ka asnjë qëndrim negativ ndaj qytetarëve të vendit dhe dëshiron që ata të qëndrojnë kështu.

“Deklaratat fyese të përditshme, gënjeshtra ndaj pozicionit bullgar dhe populli bullgar dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe mund të çojnë në një ndryshim të qëndrimit të bullgarëve”, shtoi Zaharieva.

Zaharieva, megjithatë, beson se tani marrëdhëniet mes dy vendeve “nuk janë aq të këqija”, sepse Shkupi dhe Sofja po flasin, ndryshe nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, kur, siç thotë ajo, “nuk kishte takime”.