Janë publikuar formacionet zyrtare të takimit të parë kualifikues në “Loro Boriçi” mes Shqipërisë dhe Turqisë. Tekniku kuqezi, Christian Panucci i ka besuar eksperiencës, teksa ka hedhur në fushë një skuadër nën modulin 3-5-2.

Berisha do të mbroj katërkëndëshin e portës kuqezi, ndërkohë që mbrojta do të jetë e gjitha e rindërtuar nga e para. Veseli, Djimsiti dhe Ismajli do të ndërtojnë digën e prapavijës së skuadrës kuqezi. Hysaj, i cili do të mbaj shiritin e kapitenit do të vihet në të djathtë të mesfushës, ndërkohë që në krah të majtë do të vihet Xhaka, Memushaj dhe Abrashi.

Vija e sulmit do të ndërtohet nga Bekim Balaj dhe Myrto Uzuni, me shkodranin që shkakton befasi në radhët e tifozëve kuqezi. Në vendin e tij ishte parashikuar të luante Armando Sadiku, por problemet e shfaqura në stërvitje e kanë detyruar Panuccin të mendohet dy herë.

Në krahun tjetër, Gunus ka hedhur një skuadër nën modulin 3-4-3, ku Calhanoglu do të bëj rolin e trekuartistit. Ylli i Milanit do të shërbejë për të dhënë asiste ndaj sulmuesve, Cenk Tosun e Burak Yilmaz. Mesfusha do të përbëhet nga Mahmut Tekdemir, Kaan Ayhan, Emre Belozoglu dhe Okay Yokuslu. Mbrojta do të rreshtohet nga Hasan Ali Kaldirim, Gokhan Gonul dhe Merih Demiral. Ndërkohë porta i besohet të riut, Mert Gunok.