Sot Partia Socialiste ka publikuar strategjinë për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 18 qershor.
Burime nga selia e PS-së bëjnë me dije se programi i plotë i fushatës pritet të përfundoje sot dhe është rreth 100 faqe, ku përfshihen të gjitha pikat që do të prezantohen para qytetarëve shqiptarë, transmeton Albeu.com.
Në këtë strategji kandidatëve u kërkohet që të shpjegojnë në detaje reformat e ndërmarra nga Qeveria, ndërtimi i shtetit ligjor, pagesa e taksave dhe faturave, reforma në polici, ligji i vettingut, etj.
Kandidatët duhet të vënë theksin te ajo çka Shqipëria rrezikon në këtë zgjedhje: “Nëse do të ecim përpara me PS-në drejt ndërtimit të shtetit, punësimit dhe mirëqenies apo nëse do të kthehemi pas me PD-në, duke e zhytur vendin në kaos dhe rrënim si në 1997-n”.
Por pavarësisht se kryeministri Edi Rama është shprehur i sigurt për mbajtjen e zgjedhjeve me 18 qershor, opozita është shprehur po kaq e bindur për të mos marrë pjesë.
Kjo e fundit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike, për garantimin sipas tyre të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.