Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mundësojnë që serbët në Kosovë të votojnë më 16 janar në referendumin për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se të gjithë qytetarët kanë të drejtën demokratike për të votuar në zgjedhje dhe procese të tjera zgjedhore.

“Me keqardhje konstatojmë se autoritetet e Kosovës nuk lejuan organizimin e votimit” për referendumin, tha Stano, duke u kërkuar autoriteteve të Prishtinës që të zbatojnë “praktikën aktuale të votimit të OSBE-së”, ka deklaruar Stano për tanjugun serb.
Stano ka njoftuar po ashtu se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrel, ka biseduar mbrëmë në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e më pas edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Borrell përsëriti qëndrimin e BE-së se çdo serb në Kosovë duhet të ketë mundësinë për të hedhur votën e tij përmes procesit të ‘kutive të grumbullimit’, të organizuar nga OSBE,” tha Stano.

Stano u bëri thirrje palëve të gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht që do t’u mundësonte votuesve që jetojnë në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

Rreth bisedës me Kurtin për çështjen e referendumit ka shkruar sot edhe kreu i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, spanjolli Josep Borell.

Borell ka shkruar se njerëzve duhet t’iu lejohet ushtrimi i të drejtës së tyre për votë, derisa përmend se në të kaluarën ka qenë misioni i OSBE-së ai që është marrë me ndërmjetësimin e grumbullimit të votave.

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka shkruar ndër të tjera Borrell duke njoftuar për bisedën që ka zhvilluar me kryeministrin Kurti.