Në një intervistë të drejtpërdrejtë në Kanal 10, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka treguar se mund të kemi sërish mbyllje, por duke u munduar ta ruajmë shëndetin mendor dhe mirëqenien sociale të secilit.

“Asnjëherë nuk e përjashtojmë mbylljen sërish, nëse nuk iu përmbahemi masave mbrojtëse ndaj COVID-19. Na nevojitet një mbyllje që shtatori të na gjej më mirë. Një mbyllje duke u munduar ta lejojmë zhvillimin e jetës, por me kufizime të orareve të lëvizjes, që planifikohet të bëhet brenda këtij muaji”, ka thënë Zemaj.

Zemaj tutje ka thënë se qytetarët asnjëherë nuk i kanë fajet për përhapjen e virusit.

“Megjithatë, qytetarët duhet ta ruajnë vetveten, të respektojnë rregullat, sepse virusi është i rrezikshëm dhe i fshehur, nuk e din se në cilin organ të prekë”, ka theksuar Zemaj.

Ai ka shtuar se, situatë e njëjtë me përhapjen e coronavirusit është në të gjithë rajonin.