Ndërsa aleatët evropianë të Amerikës përpiqen të kuptojnë marrëdhëniet e tyre të ardhshme me Uashingtonin nën presidentin e zgjedhur Donald Trump, analistët thonë se aleanca e NATO-s dhe Rusia janë përfshirë në një betejë gjithnjë e më të tensionuar për ndikim në shtetet e Ballkanit.

Mali i Zi – ish pjesë e Serbisë derisa shpalli pavarësinë në vitin 2006 është në prag të anëtarësimit në aleancën e Natos. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, ka shqetësim në rritje rreth angazhimit amerikan ndaj parimit themelor të mbrojtjes kolektive.

Mali i Zi mirëpriti manovrat e Natos në fillim të muajit ndërsa vendi bëhet gati të hyjë në aleancë në vitin 2017.

“Dikur Mali i Zi ishte një bastion rus në Ballkanin perendimor. Nën qeverinë e Gjukanoviçit pamë se në fakt, influenca ruse është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme. Kështu për shembull, Mali i Zi nënshkroi sanksionet që u vendosën kundër Rusisë pas ngjarjeve në Krime.”

Vetëm pak qindra kilometra larg, Serbia ka kryer manovra të përbashkëta me Rusinë dhe Bjellorusinë. Moska nuk e ka mbajtur sekret zemërimin e saj ndaj vendimit të Malit të Zi për t’ju bashkuar Natos.

Mali i Zi hyn në aleancë në një kohë të stresuar në vend, brenda Natos dhe në Evropë.

Tensionet janë shtuar pas pretendimeve për një komplot vrasjeje nga militantët pro-rus kundër kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Nuk ka sugjerime se shteti rus ishte i përfshirë.

Shqetësimet e sigurisë janë shtuar ndërsa BE-ja ballafaqohet me tensione të brendshme – pikë së pari, humbjen e një prej fuqive kryesore ushtarake ndërsa Britania largohet nga blloku.

“Një politikë e zgjuar do të ishte që evropianët të punonin shumë bashkërisht, për të forcuar vërtetë dhe për ta ruajtur marrëdhënien mes Evropës dhe Britanisë.”

Përveç kësaj, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump kërkon që aleatët e Natos të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen duke shtuar se përndryshe, Shtetet e Bashkuara mund të mos vijnë në ndihmë të tyre. Kjo deklaratë i shton shqetësimet.

“Çdo gjë është në ajër. Nëse Evropa nuk del me një lloj përgjigje të forte për të mbajtur rajonin, atëherë sigurisht që Moska do të përfitojë nga situata.”

Por shumë analistë besojnë se qasja e Donald Trumpit ndaj Natos mund të ndryshojë me shpejtësi në se përballet me një krizë sigurie.

“Nuk është se nuk e kemi parë këtë me presidentët e kaluar. Ju kujtohet kur George (W.) Bush erdhi në pushtet me politika shumë të ndryshme nga ato që ndoqi si përfundim. Dhe kjo erdhi përgjithësisht si një përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit.”

Analistët e sigurisë thonë se zgjedhja e posteve kryesore në administratën e Donald Trumpit – veçanërisht ajo e Sekretarit të Shtetit – do të zbulojë më shumë rreth synimeve të politikës së tij të jashtme.