Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, nuk prêt që vendi të hap negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin qeshor. Në një prononcim për gazetën LAJM, Zendeli tha se pas këtij dështimi të radhës, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kemi shpresuar të ketë datë për negociatat, por paralajmërimet dhe informacionet që vijnë nga Sofja zyrtare dhe nga miqtë tanë ndërkombëtar, nuk janë shumë optimistë se mund të presim diçka nga Bullgaria. Nuk pres që të kemi datë edhe pse do të doja të ishte e kundërta. Kjo edhe më tepër e komplikon situatën politike në vend. Shumica parlamentare shumë ka shpresuar dhe ndonjëherë ka dhënë edhe shpresa të gabuara për qytetarët duke krijuar edhe iluzione se kjo është punë e kryer dhe ka përfunduar. Qytetarët më së shumti do të kishin përfitime dhe benefite nga ky proces dhe besoj se dëshpërimi i qytetarëve do të rritet edhe më tepër. Çështja e zgjedhjeve është e hapur dhe duhet të bisedohet për caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme”, tha Zendeli