Përmes një kumtese CIVIL – Qendra për Liri thotë se me përforcim i vëzhgon aktivitetet e partive politike, para zgjedhjeve të rrethit të dytë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 29 nëntor, përcjell Fol.

Ekipi monitorues i Civilit shënon aktivitet të intensifikuar në terren, të aktivistëve partiakë në tërë vendin, dhe jo vetëm në komunat në të cilat do të mbivotohet. Aktivitet i rritur vërehet edhe në rrjetet sociale, veçanërisht nga fundi i javës së kaluar.

Në ditët e para pas ditës zgjedhore, më 15 tetor, partitë ishin më pak aktive, në pritje se si do të jenë rezultatet nga ankesat. Nga fundi i javës së kaluar, fushata e tyre vazhdoi me intensitet të rritur.

Sipas raporteve nga vëzhguesit e Civilit, atmosfera është e tensionuar, ndërsa partitë politike vazhdojnë të merren me tema nacionale, në vend të problemeve lokale. Aktivitetet, së paku një pjesë e madhe nga ato, kanë marrë drejtimin e ndarjeve, tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë ose ndaj kategorive të qytetareve dhe qytetarëve të bashkësive të ndryshme, të cilët nuk janë në vizurat e partive.

Janë vërejtur raste të presioneve në ndërmarrjet dhe në administratë në nivel lokal. Ato raste do të publikohen në platformën tonë mediatike, mirëpo, kjo është çështje për të cilën institucionet do të duhet seriozisht të merren me punë dhe t’i ndëshkojnë të gjitha tentimet për kufizimin e të drejtës votuese.

Vlerësimi i Civilit është se edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale do të ketë qytetare dhe qytetarë që nuk janë në Listën e Votuesve. Edhe një herë alarmojmë se kjo është lëndim serioz i të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe të drejtës fundamentale, e kjo është e drejta e votimit.

Civili rrethin e parë të zgjedhjeve vendore e monitoroi me 191 vëzhgues dhe në bashkëpunim me mbi 130 gazetarë qytetarë, të cilët nuk ishin të akredituar, por në mënyrë aktive e vëzhguan terrenin.

Vëzhguesit do të jenë të caktuar në komunat në të cilat do të votohet në rrethin e dytë, ndërsa sot do të akreditohen edhe 16 vëzhgues tjerë të cilët do të vendosen atje ku pritet të ketë tensione.

CIVIL -Qendra për Liri ka zero tolerancë për parregullsitë zgjedhore dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në rrethin e dytë zgjedhor, më 29 nëntor, të kontribuojnë për ditë zgjedhore të qetë, të lirë dhe demokratike.

Në ueb faqet www.civilmedi.mk në gjuhën maqedonase dhe www.drejt.mk në gjuhën shqipe do të publikohen informatat dhe raportet nga monitorimi zgjedhor, që arrijnë nga gazetare(ë)t qytetarë, por edhe informata tjera, të rëndësishme për qytetaret dhe qytetarët.

Për të gjitha informatat ose paraqitjet për parregullsi zgjedhore, të qytetareve dhe qytetarëve, të medias dhe të gjitha palëve të prekura në procesin zgjedhor, mund të paraqiteni në numrat e telefonit: 02/5209 176, 071 608 523, 078/ 746 138 dhe në onlajn formularin www.zgjedhjetëlira.info. /Fol/