Zëvendësprinci i Arabisë Saudite ka thurur lavde për presidentin amerikan, Donald Trump, pas takimit të tyre, duke e quajtur atë një “mik të vërtetë të myslimanëve” dhe duke pretenduar se ndalimi i imigracionit nga ai, nuk ka synuar Islamin.

 

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Mohammed bin Salman është takuar të martën me Trump në Shtëpinë e Bardhë, të cilin takim një këshilltar i tij e ka konsideruar një “pikë kthese historike” në relacionet SHBA-Arabi Saudite.

Këshilltari ka thënë përmes një deklarate se edhe pse Uashingtoni dhe Riadi kishin “pësuar një ndryshim të mendimeve”, gjatë takimit të së martës “gjërat janë vënë në rrugën e duhur, dhe kanë shënuar një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

Të dy palët diskutuan ndalimin e përcjellë me reagime të shumta të Trump për qytetarët nga gjashtë vende me shumicë myslimane, të cilat nuk përfshijnë Arabinë Saudite.

“Arabia Saudite nuk beson se kjo masë synon vendet myslimane apo fenë islame”, thuhet në deklaratë, duke theksuar se Riadi beson se ndalimi ka për qëllim thjesht parandalimin e terroristëve të hyjnë në SHBA.

Trump është kritikuar në mënyrë të përsëritur për dështimin për të vënë Arabinë Saudite në listë, edhe pse disa nga 9/11 terroristët thuhet se vinin nga ky vend.

Shumë pretendojnë se janë lënë jashtë për shkak se Trump ka marrëdhënie biznesi në mbretërinë e Gjirit, të cilat ai nuk dëshiron t’i rrezikojë.

 

Deklarata vazhdon duke shtuar se “Presidenti Trump shprehu respektin e tij të thellë për fenë islame, duke e konsideruar atë një nga fetë hyjnore që erdhi me parime të mëdha njerëzore”.

Aty Trump quhet “një mik i vërtetë i myslimanëve, të cilëve do tu shërbejë në një mënyrë të paimagjinueshme”, duke vënë në dukje se realiteti i presidentit amerikan është i ndryshëm nga ajo se si është portretizuar nga mediat dhe të tjerët.

Salman dhe Trump thuhet se gjithashtu kanë diskutuar marrëveshjen bërthamore 2015 në mes të gjashtë fuqive botërore – duke përfshirë Shtetet e Bashkuara – dhe Iranin.

Princi duket të ketë të rënë dakord me Trump, i cili e ka quajtur më parë marrëveshjen “katastrofike” dhe “marrëveshjen më të keqe të negociuar ndonjëherë”.