Ditët e fundit në opinionin publik edhe më shumë po flitet se me bllokadën e Parlamentit nga opozita dhe mungesa e mundshme e perspektivës evropiane me mosmarrjen e datës, nuk lënë mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më së voni në pjesën e parë vitin e ardhshëm. Opozita maqedonase ka paralajmëruar hapa më radikale në ditët në vijim, deri sa të caktohen zgjedhjet e parakohshme. “Kovaçevski merr kurajo dhe verifikoje legjitimitetin përmes qytetarëve dhe dilni në zgjedhje. VMRO – DPMNE zgjati dorën dhe ndihmë të hapur me ekspertë në atë periudhë deri në zgjedhje të tejkalohen krizat në të cilat fatkeqësisht kjo qeveri e LSDM-së i ka krijuar dhe ka futur Republikën e Maqedonisë në to edhe atë vetëm për shkak të arsyes së vetme për shkak të injorancës, dyfytyrësisë dhe paaftësisë së tyre. Sepse nuk dinë të udhëheqin shtet. Për këtë edhe njëherë urdhëroni në zgjedhje të shihni se sa ju duan qytetarët”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski në një konferencë shtypi.

Politologu Marjan Vuçkoviq i arsyeton veprimet e opozitës lidhur me bllokadën e Pralamentit, duke patur parasysh edhe qëndrimin e Bullgarisë lidhur me kontestin. “Bllokada e Parlamentit aktualisht është një reagim normal i opozitës, duke marrë parasysh qëndrimin e Bullgarisë. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë hapi një procedurë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, i cili ka një mundësi reale për të prolonguar datën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Marjan Vuçkoviq, politolog.

Edhe Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, mbrëmë theksoi se nëse deri më 22 qershor, Maqedonia e Veriut nuk merr datë për hapjen e negociatave, duhet të ketë zgjedhje të reja parlamentare. “Me shumë gjasa po organizojnë zgjedhje në tetor. Nëse më 22 qershor nuk marrim datë për hapjen e negociatave kësaj qeverie nuk i ngelet asnjë kredibilitet moral. Nuk ka asnjë subjekt politik që nuk ka në agjendë eurointegrimet. Ndërsa ata që e kanë marrë si detyrë për ta çuar vendin në BE, të paktën të hapin negociatat. Nuk kemi dashur të krijojmë situata jo të volitshme, duke pasur parasysh se në regjion po zhvillohet një mision diplomatësh për të zgjidhur çështjen diplomatike”, tha Sela.

Në LSDM, ndërkaq, mbajnë qëndrim kundër zgjedhjeve të parakohshme. Ndaj kërkesës së Mickovskit për takim liderësh ku do të vendosej data e mbajtjes së zgjedhjeve, nga partia e Kovaçevskit janë përgjigjur se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024. “VMRO – DPMNE vazhdon me destruktivitet, me bllokada, Mickoski nuk e di çfarë bën, është humbur tërësisht, tregon pafuqi dhe destruktivitet. Zgjedhje do të ketë në vitin 2024 dhe ajo është çështje e mbyllur”, kanë thënë në një deklaratë me shkrim nga LSDM.

Edhe Alternativa e Afrim Gashit është në të njëjtën vijë – kundër zgjedhjeve të parakohshme. Lideri i kësaj partie Gashi, pas rizgjedhjes në krye të partisë në Kongresin e së dielës, ka thënë se tani nuk është koha për tu mbajtur ato. ”Ne mendojmë që nuk duhet të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe jemi kundër asaj. Ne kur jemi bërë pjesë e qeverisë nuk kemi thënë që për 100 ditë do të realizohen gjitha projektet. Na duhen 4 vite për realizimin e plotë”, ka thënë Gashi. Megjithatë, në kuluaret partiake flitet se edhe Alternativa mund të përkrahë zgjedhjet në rast se arrin një ujdi me “integristët” e Ahmetit. Ndryshe, zgjedhjet e fundit parlamentare, njëjtë të parakohshme, u organizuan në vitin 2020 dhe u shkaktuan nga bllokada franceze për nisjen e negociatave. Franca atëkohë kërkoi metodologji të re të procesit të bisedimeve me vendet aspirante. (koha.mk)