Në fshehtësi totale partitë zhvillojnë përgatitjet e tyre për zgjedhjet lokale në tre komuna, përfshirë edhe negociatat për bashkëpunime të mundshme në komuna të caktuara. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se as nuk janë filluar bisedimet për këtë çështje.

Akoma nuk ka as koalicione dhe as bisedime të hapura për koalicione në nivel lokal në Ohër, Novo Sellë dhe në Dibër kështu që akoma është herët. Fushata fillon në datë 1.” – u shpreh Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së

LSDM-ja dhe BDI-ja ishin të pakapshme për të sqaruar nëse, si partner të koalicionit, janë të gatshme të ndihmojnë njëra tjetrën në garat lokale. Ata së fundmi janë përfolur për përfshirje në negociata me qëllim që LSDM-ja të mbështesë partinë e Ahmetit në Dibër dhe kjo e fundit të mbështesë partinë e Zaevit në Ohër. Informacionet mbeten të pakonfirmuara nga partitë. Aleanca për Shqiptarët nga ana tjetër, ka hedhur poshtë pretendimet për “pazare politike” me ndonjërën nga partitë Maqedonase për mbështetje të dyanshme për në zgjedhjet lokale dhe ata presidenciale.

Nuk do të lejojmë në këtë fazë kur fushata jonë e kandidaturës së Blerim Rekës po merr përmasa të mëdha, qarqe të caktuara të imputojnë elemente se gjoja do të bëhen pazarllëqe të ndryshme politike. E dëshmojmë me plot përgjegjësi se kjo çështje është jashtëzakonisht e sinqertë në aspekt të unifikimit të votës shqiptare. Informacionet që i kemi dhe të cilat janë të konfirmuara janë se si kandidat i Aleancës për shqiptarët, dr. Arben Agolli do të marrë edhe përkrahjen e Lëvizjes Besa.” – theksoi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët

Deri tani, partitë kanë publikuar vetë emrat e kandidatëve të tyre. Në Dibër, BDI-ja do të garojë me Hekuran Dukën, me profesion doktor, dhe aktualisht ushtrues detyre kryetar në Komunën e Dibrës. Aleanca për Shqiptarët me Arben Agollin, po ashtu me profesion doktor. Agolli ka qenë kandidat edhe në zgjedhjet paraprake. Për Ohrin, LSDM-ja do të garojë me Konstantin Goergievskin kurse VMRO-ja me Mitre Milloshevskin. Përveç tyre, kandidaturë kanë paralajmëruar edhe Partia Demokratike me Stevçe Stevoskin. Në Novo Sellë, VMRO-DPMNE-ja do të kandidojë me Nikollçe Stoillkovin, kryetar aktual i komitetit komunal të VMRO-së. LSDM-ja do të kandidojë më Nikolla Andonovin.

Kandidatët në zgjedhjet lokale

Dibër

Hekuran Duka – BDI

Arben Agolli – Aleanca për Shqiptarët

Ohër

Konstantin Georgievski – LSDM

Mitre Milloshevski – VMRO-DPMNE

Novo Sellë

Nikolla Andonov – LSDM

Nikollçe Stoillkov – VMRO-DPMNE